SHBA-ja është goditur nga një stuhi dimërore, tornado dhe erëra të fuqishme. Kalifornia jugore, Oklahoma, Kansas, Misuri dhe Teksas janë zonat më të prekura.
Mediat vendase raportojnë për shtëpi të dëmtuara dhe mungesë të energjisë elektrike. Moti i ashpër pritet të vazhdojë deri në fund të javës.
Kalifornianët tashmë janë përballur me ndërprerje masive të energjisë elektrike, përmbytje dhe mbyllje të dy autostradave dhe plazheve ndërsa stuhia përfshiu shtetin amerikan.
Më shumë se 120,000 njerëz, shumë prej tyre në zonën e Los Anxhelosit janë duke u përballur me mungesën e energjisë elektrike, pas ditëve me erëra të forta. Rreth 52,970 shtëpi janë në errësirë.
Deri më tani nuk ka pasur raporte për ndonjë vdekje të lidhur nga stuhia apo lëndime të rënda.
(BalkanWeb)
