NGA LEDIONA XHELADINAJ
POGRADEC – Mes lotësh dhe dhimbjes së thellë është përcjellë për në banesën e fundit vogëlushi 10-vjeçar Kristi Maze, nga fshati Bucimas i Pogradecit. Historia e Kristit të vogël që preku këdo që dëgjoi për sëmundjen e tij nisi kohë më parë, ndërsa sot ishte rrugëtimi i tij i fundit drejt fshatit Alarup , atje ku ai lindi dhe do të prehet.
Luftën me sëmundjen ai nuk e ndali deri në momentin e fundit të tij, sepse Kristi e donte më shumë se kushdo jetën pavarësisht se fati i kishte rezervuar një tjetër fat për atë.
“News 24” dhe mijëra shqiptarë ishin miqtë e vetëm të vogëlushit, duke bërë të pamundurën për ta shpëtuar atë, për të mos e lënë asnjë moment të ndihej i vetëm ndonëse për të ishte shkruar diçka tjetër.
Ne nuk mund të mos qëndronim edhe sot pranë Kristit, sepse dhimbja që na la pas është e madhe. Kudo e ka pushtuar pikëllimi dhe dhimbja e thellë. Për këdo, ikja e Kristit është një plagë e madhe.
Ilia, babai i vogëlushit, edhe në momentet më të hidhura të jetës së tij nuk nguron të shprehë mirënjohje për ata qytetarë që kontribuuan për shpëtimin e dritës së syve të tij, ndërsa mllefi për pushtetarët e etur ia ka pushtuar gjithë shpirtin.
Fjalët më të mira për vogëlushin nuk mungojnë edhe nga mësueset e tij, të cilat janë të shokuara nga ikja parakohe e Kristit.
Kushdo flet për Kristin, të afërmve të tij nuk iu ndalen lotët, ndërsa apelojnë për fëmijët e tjerë që presin të kurohen, por shpresa tek qeveria ka vdekur për ata.
Ndarja nga jeta e vogëlushit Kristi Maze preku mijëra zemra në çdo vend ku u dëgjua historia e tij, por burokracitë e pushtetarëve dhe etja që ka mbërthyer çdo qelizë të tyre nuk njeh kufij. Një engjëll u largua nga kjo tokë. U prefsh në paqe Kristi…
(el.sp/BalkanWeb)
