Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka kërkuar shfuqizimin e Bordit të Karburanteve në Gjykatën Kushtetuese.
Në një postim në Facebook, Çupi ka shkruar se ‘qeveria duket qartë që nuk ka interes, pasi përparësi kanë vetëm klientët’.
“Në Gjykatën Kushtetuese përfaqësuam sot interesin e qytetarëve përballë interesit të klientëve të qeverisë për të cilën ka ngritur prej disa kohësh në shkelje kushtetuese bordin për përcaktimin e çmimit të karburanteve.
Shfuqizimi i këtij bordi për ne është e një rëndësie ekstreme për qytetarët të cilët janë në kushtet e mbijetesës.
Qeveria duket qartë se nuk e ka këtë interes, por vetëm interesin e klientëve të saj që kanë diktuar me këtë bord çmimet më të larta në Europë të karburanteve.
Gjykata Kushtetuese ashtu si me bordin e ushqimeve, duhet të shohë interesin e shqiptarëve. Unë kam besim të plotë se vendimi do të jetë për qytetarët dhe jo për klientët e qeverisë”, ka shkruar Çupi.
(BalkanWeb)
