Prova më flagrante e kapjes së drejtësisë prej ekzekutivit është Pamela Qirko, kryetare e komisionit të pavarur të kualifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, njëherësh motra e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sot po sjellim rastin më të ri, i cili është ulëritës përsa i përket konfliktit të pastër të interesit. Në datën 8 mars para trupës së vettingut ka dalë gjyqtarja e gjykatës administrative të Tiranës Gentiana Muçaj. Vettingu i kësaj gjyqtareje ishte zvarritur me vite të tëra, por u gjet momenti kur duhej që ajo të shfaqej dhe motra e Belinda Ballukut, Pamela Qirko, të ishte pjesë e trupës që do të gjykonte aftësitë profesionale dhe figurën e saj.
Çfarë ka ndodhur pak ditë përpara se gjyqtarja Gentiana Muçaj të kalonte vettingun?
Qeveria dhe kryesisht institucionet në varësi të Belinda Ballukut si IKMT e Dallëndyshe Bicit, ndërmorën një seri vendimesh të paligjshme ndaj “Prestige Resort”, pas hedhjes në erë të hotelit në dhjetor 2022.
Në shkurt të vitit 2023 IKMT sekuestroi 2 objekte, akuaparkun dhe pishinat e tjera brenda kompleksit “Prestige Resort” dhe vendosi gjobë rreth 8 milionë euro, duke mos u mjaftuar me hedhjen në erë më tritol të hotelit dhe gjobat e tjera të vendosura më parë.
Gjyqtarja që shqyrtoi padinë për masën e pezullimit ishte pikërisht Gentiana Muçaj, e cila në konflikt të pastër interesi hodhi poshtë padinë, ku palë ishin një nga kompanitë e “Hysenbelliu Group” dhe nga ana tjetër Belinda Balluku me IKMT që varet prej saj.
Rezultati është i qartë: Gentiana Muçaj rrëzon padinë e “Hysenbelliu Group” dhe vetëm 8 ditë më vonë, pasi e kishte zvarritur 5 vjet, motra e Belinda Ballukut cakton datën e vettingut për të dhe e konfirmon në detyrë.
KPK vendosi gjithashtu të transferojë për verifikim pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një çështje të shqyrtuar nga Gentiana Muçaj.
Pavarësisht se për gjyqtaren ishin depozituar tetë denoncime nga publiku, pavarësisht se emri i bashkëshortit të saj Arian Muça është përmendur në listën e zezë që kryeministri Edi Rama e prezantoi si lista “KCK”, gjyqtarja doli e pastër dhe e kulluar nga vettingu i Pamela Qirkos. Bashkëshorti i gjyqtares ka ndryshuar mbiemrin nga Muçaj në Muça, por as ky fakt nuk e shqetësoi KPK.
