Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj i ftuar në studion e emisionit “Open” ka deklaruar se kryesia e PD-së ka marrë një vendim që zgjedhjet për kryetarin e partisë të zhvillohen pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023.
Nga ana tjetër analisti Fatos Lubonja ka thënë se grupimi i Alibeajt në betejën me grupin e Berishës është mbështetur në pjesën e të paturit mbështetjen e ambasadës amerikane dhe te nevoja që kishte Rama për përçarjen e demokratëve dhe shërbimi që ky grup i ka bërë mazhorancës.
Ai shtoi se nga ana tjetër grupimi i Berishës u mbështet te të paturit shumicën dhe te organizimi i mitingjeve e protestave, ndërsa tha se dalja e Celibashit nga KQZ së fundmi është ajo që ngre pikëpyetje.
Alibeaj iu përgjigj duke thënë se institucionet shtetërore nuk mund të marrin vendime që bazohen në “tifozllëk”, ndërsa sa i përket akuzave për bashkëpunimin me pushtetin deklaroi se nuk kanë qenë ata që kanë punuar me mazhorancën, por ka pasur të tjerë që i kanë mbështetur në Parlament.
Sipas tij kërkesat e tyre për komisione hetimore për disa çështje nuk kanë gjetur mbështetjen jo vetëm të pushtetit, por as të grupimit tjetër, gjë që sipas tij fakton se nuk ka pasur bashkëpunim me kryeministrin Rama.
Pjesë nga biseda:
Alibeaj: Në statut nuk ka asnjë rregull për të caktuar procesin zgjedhor. E cakton kryesia atë, jo kryetari. Ka qenë një vendim i kryesisë në atë kohë ku mori një vendim ku zgjedhjet do zhvilloheshin pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023. Ka autorizim dhe ka nënshkrim. Nuk ka asnjë arsye ligjore, unë e marr përsipër nga kryetari. Sot nuk ka një kryetar në kuptimin klasik, ka një nënkryetar që për shkak të rregullave merr përsipër përgjegjësitë e kryetarit të partisë.
Lubonja: Pse nuk e firmos Basha atë?
Alibeaj: Ka një arsye, Basha dha dorëheqjen. Kur jepet dorëheqja nuk ke më asnjë detyrim për të lëshuar nënshkrime me efekt ligjor. Jo vetëm u dhanë sinjale nga ana jonë, por nuk u bënë veprime aktive për ndarjen akoma më të thellë të strukturave. Arsyeja reale është kjo.
Lubonja: Argumenti i Alibeajt nuk më bind, që këta po punonin për bashkimin dhe prandaj e shtynë zgjedhjen e kryetarit. Mendimi im është se kemi dy grupime që kanë krijuar armiqësi të thellë. Pastaj është se sa përgjegjësi ka njëri e sa ka tjetri. Njëri grupim ka vënë një bast në kohë se do ta marrë ky PD-në dhe tjetri ka një bast se do e marrin ata PD-në. Duke marrë kryesinë partia do jetë e atyre dhe do jenë opozitë.
Grupimi i Alibeajt vuri një bast duke u mbështetur në disa atura të forta, e para mbi të gjitha mbështetja amerikane që shpalli non-grata Berishën. E dyta ishte nevoja që kishte Rama që t’i mbajë të përçarë këta. Këta kanë dhënë disa sinjale se nuk do prisheshin aq shpejt dhe do i shërbenin mazhorancës që kontrollonte dhe gjykatat.
Grupimi tjetër vuri bast se ka njerëzit dhe do bënte protestat etj. Ideja për bashkimin ka kohë që është harruar. Veprimet e këtyre kanë qenë krejtësisht në kundërshtim me grupin tjetër. Këta i kapën të gjitha, tani pse doli Celibashi? Këta ndoshta prisnin që edhe ai në harmoninë e kapjeve do mbyllte syrin, ky e tha këtë fjalën. Pse e tha ai, një pikëpyetje ngrihet. Ose e tha se ka ruajtur një farë yndyre ose e tha se bën vaki që Ramës i intereson të mos fusë asnjë nga këta fare në zgjedhje.
Alibeaj: Pse ky Celibashi tha Lubonja vendosi të mos na regjistrojë? Ka vetëm një parti demokratike, nuk ka dy. Kjo është prova dhe jo e vetmja që tregon dhe rrëzon atë që është ngritur sikur ka bashkëpunim me Ramën. E para ja nuk ka bashkëpunim të Ramës.
Rakipllari: Celibashi tha një të vërtetë, në perceptimin e tij është Berisha se ka shumicën, bën mitingje, etj.
Alibeaj: Ajo që thua ti është se një institucion shteti që zbaton ligjin duhet të bëjë tifozllëk me njërin apo tjetrin. Nuk i takon askujt të zbatojë ligjin në bazë të tifozerisë së vetë. Unë do guxoja të them që na qenka një dëshirë e Ramës po edhe Berishës për të hequr PD-në nga gara. Ju aludoni sikur ka një ndihmesë nga pushteti ndaj nesh? Fakt është që vendimi i shkallës së parë a mos duhet të themi që ka bashkëpunim mes Ramës dhe atij që e mori vendimin?
Duket sikur ka një bashkëpunim u tha. Unë të sjell dy fakte që tregojnë të kundërtën. Cili ka qenë bashkëpunimi me mazhorancën? Unë kam shumë raste të bashkëpunimit të të tjerëve me pushtetin në parlament. Kërkesat tona nuk kanë gjetur mbështetje nga pala jonë dhe pushteti. Komisioni hetimor i inceneratorëve ka qenë një rast, ai i investitorëve strategjikë, ligji për hapjen e dosjeve, votimet për bordin e bankës. Po të isha cinik mund të listoja një sërë çështjesh që tregojnë jo bashkëpunimin tonë.
