Punonjësit e “Birra Tirana” kanë zhvilluar dje një protestë, pasi ndaj saj është vendosur një gjobë prej 3.6 mln euro, e cilësuar si e padrejtë.

Në një komunikim për News24, administratori Adrian Kostaqi tha se janë të hapur që kjo padrejtësi të zgjidhet dhe të vendosen para çdo lloj Komisioni.

“Nëse e shihni punonjësit janë mbledhur këtu. Kemi marrë një gjobë në shumën 3.6 mln euro që është e frikshme. Si pasojë e kësaj gjobe jemi detyruar të ndërpresim prodhimin. Ne nuk kërkojmë asnjë gjë, veçse të drejtën. Ne jemi shumë të hapur për çdo dokumentacion teknik dhe financiar, por kjo gjobë është e padrejtë.

Të gjithë punonjësit më njoftuan se do ti dërgojnë një letër të gjitha institucioneve shtetërore, Presidentit, Kryeministrit, Ministrisë së Financave, Kryetares së  Kuvendit, Grupeve Parlamentare që të mblidhen dhe të krijojnë një grup ekspertësh dhe në prezencës e Komisionit të Financave dhe Komisionit të Ligjeve le t’i shqyrtojnë kush është motivi që bëhet kjo përllogaritje e gabuar në mënyrë që ne të lirohemi nga kjo barrë e rëndë dhe punëtorët të kthehen në vendet e tyre të punës.

Gjatë kohës së pandemisë nuk është marrë asnjë ndihmë nga shteti, por të gjithë punonjësit janë paguar. Prej 4 muajsh prodhimi është ndërprerë, por i kemi paguar dhe po përgatitet të paguajmë dhe pjesën tjetër. Ne mbajmë përgjegjësi ligjore në rast se kemi bërë shkelje. Por nëse është bërë me dashje dhe kanë abuzuar me të drejtat e tyre, atëherë edhe ata duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb