Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku në një lidhje live në News24, foli për 10 projektet që synon Bashkia e Tiranës për 5 vitet e ardhshme. Duke bërë një bilanc për 8 vitet e shkuara, Mazniku tha se ‘kur kthejmë kokën pas shohim që kemi bërë shumë punë, por kemi sërish për të bërë’.

Më tej ai listoi 10 projektet, duke thënë se ‘nuk janë 10 ëndrra, por 10 projekte të realizueshme’.

“Është e vështirë që të kënaqemi pasi jemi duke kërkuar më shumë. Një punë shumë e madhe është bërë pa dyshim për infrastrukturën dhe gjatë kësaj kohe, riparimi i rrugëve, i trotuareve, shtimi i rrugëve të reja ka qenë një fokus i madh i Bashkisë. Mund t’ju them një sërë numrash, si për shembull:
– janë mirëmbajtuar, rehabilituar 1900 segmente rrugësh.
– Po ashtu ndriçimi publik sot është 97% i qytetit ndërkohë që ishte vetëm 31% në 2015. Pra vetëm 31% e qytetit mbulohej me ndriçim, sot jemi në nivelin 97%
– Janë shtruar 74 kilometra rrugë brenda blloqeve të banimit
– janë ndërtuar 20 kilometra rrugë të reja urbane, pra rrugë që nuk ekzistonin fare janë bërë tërësisht të reja
– janë rehabilituar 100 blloqe banimi
– janë rikualifikuar tërësisht 49 lagje
Në total gjatë këtyre 8 viteve janë bërë më shumë se 110 mijë ndërhyrje të tipit, mirëmbajtje, riparime trotuaresh, rrugëve, ndriçimeve, kanalizimeve të ujërave të bardha e këtu mund të përfshijmë faktin që çdo muaj në mënyrë të përditshme janë 15 mijë pika pusetash të cilat pastrohen në mënyrë sistematike nga Ndërmarrjet e Bashkisë. Që do të thotë se sasia e volumit të punës që bëhet në qytet për mirëmbajtje, riparime e shtim infrastrukture është e jashtëzakonshme”, deklaroi Mazniku.

Nënkryetari i Bashkisë renditi dhe 10 projektet kryesore, që do të jenë ikonë për Tiranën, si paja që ne ia lëmë një gjenerate tjetër të të rinjve të Tiranës.

Synojmë përmbylljen e 10 projekteve, të cilat janë:

1.Teatri Kombëtar
2.Stadiumi i ri “Selman Stermasi”
3.Një Muze i Artit Modern
4.Kampusi i ri Universitar
5.Zona e Lirë e Zhvillimit Ekonomik të Tiranës
6.Qendra e re e Konventave
7.Qendra e Panaireve
8.Muzeu i Tiranës
9.Kopshti Botanik
10.Pallati i Ri i Sportit “Asllan Rusi”, tha Mazniku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb