Sali Berisha ka prezantuar sot kandidatin e tij për Belshin, Bedri Qypi.

Ish-kryeministri në nisje të fjalës së tij ngriti problemin e largimit të shqiptarëve nga vendi, duke thënë se kjo ndodh pasi kryeministri Edi Rama po zbaton politika armiqësore ndaj popullit.

“Belshi dhe Shqipëria kanë sot nevojë jetike ndryshimin, aq saç ka zogu ajrin për të fluturuar. Kanë sot nevojë jetike ndryshimin në mënyrë që djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë, t’i japin një mbështetje vendit të tyre.

Këtu jemi para një momenti të jashtëzakonshëm. Mendoni në 8 vite janë larguar 937 mijë shqiptarë, nga të cilët 80% nën 30 vjeç. Këtu nuk përfshihen ata që janë larguar në SHBA apo Kanada.

Nëse nuk bëjmë gjë, në 8 vitet e ardhshme ata që janë larguar do tërheqin edhe 1 milionë të tjerë.

Pse po ikin? Sepse kjo qeveri që ne duhet ta ndryshojmë sa më shpejt, po zbaton politika armiqësore ndaj shqiptarëve.

Këta nuk shohin asgjë veç pasurimit të tyre dhe një grupi oligarkësh. Unë nuk kam qenë dhe nuk jam kundër të pasurve, por kurrë nuk do t’i mbështes në kurriz të qytetarëve.

Jam i detyruar në moral dhe ligj që të mbroj interesat e qytetarëve, ndërsa ai mbron interesat e oligarkëve”, tha Berisha.

Po ashtu Berisha ka komentuar edhe shkarkimin e Artan Lames nga Kadastra.

“A e morët vesh ju? E shkarkoi atë Artan Lamen. Boll mëkate ka bërë ai, por një gjë e bëri, nuk firmosi për portin e Durrësit, sepse është një vjedhje e tmerrshme, sepse i jepet klanit të Edi Ramës dhe Alabarit 820 mijë metra katrorë, sepse jepet porti mijëra vjeçar për t’u bërë Edi Rama sheiku i Dubait, në një kohë kur porti është pasuria numër 1 publike e qytetarëve shqiptarë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: