Një mbrëmje e çmendur, rekorde pas rekordesh, Erling Haaland është thjesht i papërmbajtshëm. “Bomberi” norvegjez zhvilloi një nga sfidat më të bukura në karrierë, përballë Leipzig realizoi një “manita” me gola, një pesë golësh që e fut në historinë e futbollit botëror.
Haaland shkoi në kuotën e 33 golave në Champions, shifër që e arrin me 25 ndeshje në dispozicion, sulmuesi i Man.City kalon në këtë mënyrë Ruud Van Nistelrooy i cili arriti 31 gola në 34 ndeshje.
Pep Guardiola shijon produktet e blerjes së tij të bujshme, ky sezon i Haaland, i pari me Man.City është për tu vendosur në kornizë, Haaland shkon në kuotën e 39 golave këtë sezon, 28 në Premier League, 10 në Champions dhe 1 në EFL. Që nga koha kur Champions League ndryshoi format, në sezonin 1992-92, vetëm 2 lojtarë më përpara kishin arritur të shënonin 5 gola në një sfidë të vetme, Luiz Adriano dhe Lionel Messi:
“Ishte një mbrëmje e madhe. Jam me të vërtetë i lumtur të luaj në Champions, e adhuroj këtë kompeticion. Të shënosh 5 gola dhe të fitosh 7-0 nuk është e thjeshtë. Jam pak konfuz, për të qenë i sinqertë nuk i kujtoj mirë golat. Mbaj mend vetëm se kam goditur pa u menduar shumë”, u shpreh Haaland.
(BalkanWeb)