TIRANË
Qytetarë të shumtë të shqetësuar dhe të indinjuar kanë folur në emision “Koha për t’u zgjuar”, në News24 për problemet e tyre dhe indiferencën e shtetit për t’ua zgjidhur.
Një qytetar nga Mallakastra deklaroi se prej vitesh zvarritet në institucionet e shtetit shqiptar dhe nuk e pajisin me dokumentet për banesën dhe pronën e tij. Ai tha se në institucione e sorollatin, ndërsa ai nuk ka as rrugë për të shkuar në shtëpinë e tij.
“Flas nga Mallakastra, ligji 7501 më mori pronën e gjyshit, tokën. Unë nuk jam trajtuar me ligjin 7501, me certifikatë 5 veta. Tjetër problem, kam bërë shtëpinë para 40 vitesh me të gjitha dokumentet dhe sot nuk kam rrugën me të njëjtën gjerësi që është në hartë. Kam 30 vite që ha, pi, lahem me ujë shiu dhe gatuaj me ujë shiu, vetëm 3 km larg në Mallakastër. Më ka bllokuar rrugën komshia dhe më thotë ik në rrugën që ke në hartë, por atë ma ka bllokuar shteti dhe nuk kam rrugë në hartë. Rrugën në hartë nuk vjen ta zbatojë shteti. Jam ankuar nga Mallakastra në Tiranë në të gjitha institucionet dhe nuk kam gjetur zgjidhje. Jam sorollatur në hipotekën në Mallakastër nuk ka asnjë të dhënë që i përket pronës time. Kam aplikuar tek Adisa në Fier për pronën e banesën, po bëj katër vite, drejtori thotë nuk ke aplikuar, punonjësi thotë ke aplikuar dhe e ke numrin e protokollit 118, ku duhet të ankohemi? Nuk kam rrugë të shkoj në shtëpi. O popull shqiptar nuk kam rrugë të shkoj në shtëpinë time. Nuk ka shtet o popull shqiptar”, deklaroi qytetari.
Një tjetër qytetare nga Durrësi tha se kjo qeveri nuk e meriton ta votojmë.
“Dëgjova që Neës24 i kanë vënë gjobë, çfarë të presim nga kjo qeverisje papunësi, drogë. Në Durrës i sjell fëmijët sa në një shkollë në një tjetër. E shkatërroi këtë rini, e largoi rininë nga Shqipëria, i dha drogë dhe vetëm drogë. Më vjen keq për Neës24 se jeni shumë korrekt. Mos i besoni se do të rrisë rrogat. Nuk e meriton kjo qeveri ta votojmë”, tha qytetarja.
Të tjerë kanë reaguar të indinjuar për arrestimin dhe burgosjen e gruas lehonë në Shkodër, për një gjobë 2.5 mln lekë të vjetra.
“Ky shtet po bën krime. A ka organizatë gruaje apo jo? Një nënë që arrestohet. Krim i shëmtuar i një kombi. Ju mediat duhet ta bëni problem. Të arrestohet nëna e një fëmijë 8 ditësh. Këtu po nuk arrestohen kriminelët që kanë vjedhur Shqipërinë. Ku është organizata e gruas? Nuk ke ku të ankohesh për një problem. Nuk të pret njeri. Edhe Enver Hoxhën e takoje më shpejt se takon sot një deputet të zonës për të zgjidhur problemin”, tha një qytetar.
“Këtu nuk ka shtet, këtu nuk ka drejtësi. Kriminelët të vrasin, shteti fut në burg atë që nuk ka faj. Nuk ke se çfarë të thuash. Këtu nuk gjendet asnjë lloj drejtimi”, u shpreh një tjetër.
“Si ka mundësi ajo bëri braktisjen e fëmijës, gjykata bën një braktisje tjetër fëmije. Gjykata bëri gabimin më të madh. Lihet një 8-ditësh pa pirë gji, pa pirë kulloshtrën e nënës. Çfarë bëjnë këta?”, tha një qytetare.
Po kështu një qytetar nga Malësia e Madhe deklaroi se prej 6 muajsh i kanë hequr pagesën e invalidetit të vajzës.
“Jam nga Malësia e Madhe, që nga gushti dhe këtej më kanë hequr pagesën e invalidetit për vajzën që e kam invalide. Ka 6 muaj që jam dënuar. Nuk e di çfarë rregullash ka ky shtet. Më kanë hequr kujdestarinë. Këta vjedhin e më heqin mua pagesën e invaliditetit. Më vjen shumë keq që e kanë futur atë nënën në burg me fëmijë 8 ditësh, ai është krim mbi krimet”, tha qytetari.
