Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thirri sot një mbledhje për të regjistruar koalicionin “Bashkë fitojmë” në zgjedhjet e 14 majit. Pjesë e këtij koalicioni, përveç Partisë së Lirisë, PDK-së dhe PBDNJ-së, ka vendosur emrin edhe Partia Demokratike me kryetar Sali Berishën.

Kjo ka shkaktuar një situate qesharake në KQZ për shkak se përfaqësuesi i kësaj partie, Indrit Sefa, i autorizuar prej Enkelejd Alibeajt tha se kjo forcë politike nuk ka bërë ndonjë marrëveshje për të bërë koalicion me PL-në, PDK-në dhe PBDNJ-në.

Partia Demokratike nuk ka bërë asnjë koalicion. Është përdorur emri, karakteristikat dhe logo e Partisë Demokratike nga persona të paautorizuar dhe të palegjitimuar. Komisioneri duhet të konstatojë se kjo marrëveshje është bërë në mashtrim të ligjit dhe në mashtrim të zgjedhësve. Nuk e di kush është personi që i është drejtuar KQZ-së. Komisioneri ka të gjitha detyrimet ligjore për të marrë masa dhe për të vënë në vend këtë shkelje të dispozitave ligjore. Kërkesa duhet rrëzuar për sa kohë që marrëveshja është një dokument i domosdoshëm për regjistrimin në KQZ”, tha Sefa.

Në emër të koalicionit “Bashkë fitojmë”, Altin Kaziaj, u shpreh se vendimi i KAS-it do të apelohet brenda pesë ditëve dhe në momentet që po bëhet mbledhja, PD-ja e Alibeajt ende nuk është e regjistruar zyrtarisht në KQZ.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb