Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është rikthyer në vijën e parë të frontit pranë Bakhmut-it, ku luftimet kanë vazhduar për muaj të tërë.
Qyteti ka qenë prej kohësh një pikë qendrore e luftës, ndërsa forcat ruse përpiqen të ringjallin fushatën e tyre ushtarake në lindje.
Vizita e tij erdhi pasi forcat ruse nisën një seri sulmesh në qytetet ukrainase. Vetëm sot janë raportuar tetë të vdekur nga sulmet ruse.
Pamjet e publikuara tregojnë Zelenskyn në një magazinë të vjetër industriale duke u dhënë medalje ushtarëve të lodhur nga beteja. “Unë jam i nderuar që jam këtu sot dhe të shpërblej heronjtë tanë, t’ju falënderoj, t’ju shtrëngoj duart”, tha Zelensky.
Qytetet e Ukrainës u goditën nga dronë në orët e para të së mërkurës dhe më vonë nga raketat. Këto sulme erdhën një ditë pasi presidenti kinez Xi Jinping përfundoi një vizitë dy-ditore në Moskë, duke promovuar një plan paqeje prej 12 pikash.
(BalkanWeb)