Deputeti Agron Shehaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 deklaroi se qeveria punon me kompani offshore duke shtuar se Shqipëria është renditur si një ndër vendet më të korruptuara.
Gjithashtu theksoi se pas çdo kompanie offshore është një pushtetar.
“Ligji synon të ndalojë pjesëmarrjen e kompanive offshore në tendera publike. Pasi janë kompani ku aksionerë janë anonimë. Pra nëse nuk bëhen publikë emrat e përfituesve të mos vazhdojnë më”, u shpreh Shehaj.
Pyetje: Përse qeveria punon me kompani offoshore?
Shehaj: Ka vetëm një arsye, sepse aksionerët e kompanive offshore zgjedhin të jenë të fshehur, sepse nuk duan të merret vesh se po marrin para nga buxheti i shtetit. Pra pas çdo kompanie offshore, ka një qeveritar, ministër, kryeministër, familjar apo një ortak i tyre sepse nuk ka arsye tjetër që dikush të mbajë sekret emrin. BE, SHBA na kërkojnë të luftojmë korrupsioni dhe kjo luftohet me ligj, sidomos nëpërmjet transparencës. Në situatën ku ndodhemi ka një bindje tek qytetarët që mendojnë se politikanët janë të korruptuar. Është detyra jonë të marrim hapa për të qenë më transparentë. Të gjitha kontratat dhe koncensionet që u janë dhënë kompanive ofshore janë mbi 1 mld euro”, tha ai.
Gjithashtu gjatë bisedës në studio, theksoi se një vit më parë kishte dorëzuar një projektligj të tillë, por që shqyrtimi ishte shtyrë.
“Qytetarët nuk e dinë se kush janë përfituesit, por ata vetë e dinë, politikanët e dinë. Thonë që korrupsion ka gjithandej, kjo është e vërtetë, por problemi është se si reagohet”, tha ai.
