Të premten u shënuan 24 vite nga dita kur Heroi i Shqipërisë, Indrit Cara ra në fushëbetejë duke luftuar kundër forcave serbe më 31 mars 1999.

Duke mos duruar shtypjen dhe gjenocidin e kryer ndaj vëllezërve të Kosovës, Cara la ëndrrën e emigracionit dhe erdhi nga Anglia e iu bashkua luftëtarëve të lirisë të UÇK, mes të cilëve dha edhe jetën.

Ishte pikërisht 31 marsi i vitit 1999 kur Kosova ishte përfshire në zjarrin e luftës, ku ai dha jetën për lirinë e Kosovës.

Për të nderuar veprën e të riut, bashkia e Suarekës dhe bashkia e Kavajës kane organizuar vizita të ndërsjella ndërmjet tyre.

Ndërsa ditën e premte, bashkia e Kavajës priti një delegacion nga Kosova ku Ishin të pranishëm kryetari i komunës së Suarekës zoti Bali Muharremaj dhe pjesëtarë zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie.

Ky delegacion u prit nga kryetari i bashkisë Kavajë z.Redian Krajli si dhe nga drejtues të lartë të bashkisë.

Miqtë u drejtuan më pas drejt bustit të “Ushtar Kavaja” ku u vendosën kurora me lule në shoqërinë e bandës frymore të qytetit.

Më pas në ambientet e kinoteatrit të qytetit, u zhvillua një seminar kushtuar veprës së dëshmorit të kombit Indrit Cara.

Drejtoresha e Kulturës se Suarekës nuk i mbajti dot lotët teksa po fliste për dëshmorin e kombit. Ajo u shpreh se edhe pse ka qenë e vogël kur ka ndodhur, lufta kujtimet i kane mbetur në sy.

Shoku i tij fëmijërisë Drini Bardhi me lot në sy ndau kujtimet e fëmijërisë, deri në momentin kur Indriti u largua nga vendi për tu kthyer si hero.

“Ishte një djalë i dashur që dallonte nga ne të gjithë”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb