Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta përmes një postimi në Facebook ka shprehur mesazhin e tij në kuadër të përvjetorit të 14-të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Teksa shtoi se NATO ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol jetik dhe të pazëvendësueshëm, Meta falënderoi SHBA-në dhe në veçanti Presidentin George W. Bush, i cili me vizitën e tij të paharruar në Tiranë, të vitit 2007, frymëzoi e mbështeti përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të qëllimit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë.

“E ndërsa sot nderojmë ushtarakët tanë, që bëjnë më të mirën për Forcat tona të Armatosura, nuk mund të harrojmë kushtet e vështira në të cilat ata shërbejnë si dhe korrupsionin qeveritar, i cili ka cënuar edhe disa nga asetet më strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare”, shkroi Meta më tej.

Postimi i plotë:

Sot është 14 vjetori i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, strukturën më të rëndësishme të mbrojtjes dhe ruajtjes së paqes në botë.
Qytetarët tanë prej 1 Prillit 2009, kanë garancinë e plotë se vendi i tyre gëzon mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë përmes ekzistencës së kësaj Aleance. Ata jetojnë në një rajon, për paqen dhe stabilitetin e të cilit, NATO ka pasur dhe vazhdon të ketë një rol jetik dhe të pazëvendësueshëm.
Një falënderim e mirënjohje për SHBA dhe në veçanti për Presidentin George W. Bush, i cili edhe me vizitën e tij të paharruar në Tiranë, të vitit 2007, frymëzoi e mbështeti përpjekjet e përbashkëta për realizimin final të qëllimit madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.
Mirënjohje për të gjithë ata burra e gra, në politikë, por edhe në fushën ushtarake e të sigurisë, që realizuan 14 vite më parë rreshtimin e Shqipërisë krah aleatëve tanë në NATO.
E ndërsa sot nderojmë ushtarakët tanë, që bëjnë më të mirën për Forcat tona të Armatosura, nuk mund të harrojmë kushtet e vështira në të cilat ata shërbejnë si dhe korrupsionin qeveritar, i cili ka cënuar edhe disa nga asetet më strategjike në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë kombëtare.
Partia e Lirisë angazhohet për t’u dhënë mbështetjen e merituar Forcave tona të Armatosura, përmes rritjes të buxhetit për mbrojtjen sipas kërkesave të NATO si dhe dhënies fund njëherë e përgjithmonë të politizimit të institucioneve të sigurisë kombëtare.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: