Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, zhvilloi një bashkëbisedim me gjimnazistët e shkollës ‘Gjergj Cano’ në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, Meta u ndal te deklarata e kryeministrit Edi Rama për dhënien e 5 mijë lekëve lëmoshë për pensionistët, duke argumentuar se qëllimi është blerja e votës, pasi më 14 maj do të mbahen zgjedhjet lokale.

“Tani u kujtua për pensionistët ai, para zgjedhjeve. Në dhjetor arkëtoi 400 mln euro si rezultat i rritjes së çmimeve. Në vend që t’ua kthente pensionistëve studentëve, këto para ua dha klientëve të vetë për qëllime korrupsioni dhe luksi. Besoj se me Belind Këlliçin si kryetar Bashkie do jetë tjetër transparencë. Një mbledhje këshilli nuk është zhvilluar në katër vjet. Investimet kanë qenë në rënie në Bashkinë e Tiranës”, tha Meta.

Sakaq, kreu i PL-së foli dhe për çmimet e larta në vend, ku u ndal më tepër tek sektori i ndërtimit dhe karburanteve. Meta tha se Bashkia Tiranë gjeneron mbi 300 mln euro në vit, por këto të ardhura shkojnë për korrupsion dhe shërbime luksi nga kryeministri Edi Rama.

“Ne e dimë se në Tiranë bëhet nami me kulla por çmimet e qirave po shtrenjtohen, ndërkohë që duhet të ndodhte e kundërta. Kjo lidhet me pastrimin e parave dhe nuk është mbështetja e shtresave të mesme, të rinjve që duan të krijojnë familje. Ne e dimë që jemi një nga vendet më të pasura dhe prodhojmë naftë, por çmimi është më i lartë se në vendet e tjera që nuk kanë naftë. Shqiptarët shkojë mbushen me naftë në Prizren dhe kthehen këtej, dhe ajo naftë u del për një muaj. Nga karburanti varen shumë elemente të tjerë.

Kemi shumë gjëra për të bërë në Tiranë, ka buxhet 355 mln euro në vit. Në një mandate 1.4 miliard euro. Të shohim si është situata në Tiranë, është përmirësuar apo përkeqësuar? Belind Këlliçi ka një plan të qartë, jo vetëm për të ndihmuar shtresat në vështirësi. Bashkia s’ka pasur asnjëherë çështje të tilla si prioritet. Thonë ku do i gjejë paratë Belindi? Ka buxhet, por nëse i çon lekët te incenratori që nuk ekziston, për shpenzime luksi, padyshim që nuk i gjen dot lekët”, tha kreu i PL-së”, tha lider i Partisë së Lirisë.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: