Sot është vetëm fillimi i asaj që mund të rezultojë të jetë një proces i gjatë dhe i stërzgjatur ligjor për ish-presidentin amerikan Donald Trump.
Procese të tilla mund të zgjasin me muaj të tërë, madje edhe vite.
Këtu janë disa nga gjërat që pritet të ndodhin pasi Trump të paraqitet në gjykatë.
Brenda 15 ditëve nga ngritja e akuzës, prokuroria duhet t’i dorëzojë mbrojtjes të gjitha provat e mbledhura si pjesë e hetimit.
Ky njihet si “zbulimi” dhe përfshin procesverbalin nga juria e madhe, dëshminë e çdo dëshmitari të intervistuar nga organet e zbatimit të ligjit (edhe pse disa mund të redaktohen), çdo provë të paraqitur para jurisë së madhe dhe të dhëna të tjera të siguruara nga prokurorët, si p.sh. tabulatet telefonike, e-mail etj.
Depozitimi i mocioneve
Ekipi i Trump ka thënë tashmë se do të paraqesë mocione për pushimin e çështjes përpara se ajo të shkojë në gjyq.
Në përgjithësi, mbrojtja ka 45 ditë për të paraqitur mocione pas gjykimit, por gjyqtari ka tagrin për të dhënë më shumë kohë.
Pa e ditur se çfarë është në aktakuzë, ne nuk mund të parashikojmë se çfarë masash do të marrin avokatët e Trump, por ai tashmë ka hedhur idenë për të paraqitur një mocion për transferimin e çështjes jashtë Manhatanit.
Mocionet për të ndryshuar shtetin ku çështja do të shqyrtohet, pranohen rrallë pasi mbrojtja do të duhet të bindë gjyqtarin se Trump nuk është në gjendje t’i nënshtrohet një seance të drejtë në Nju Jork për shkak të publicitetit para gjyqit.
Megjithatë dduke parë se sa vëmendje ka pasur rasti në media, është e vështirë të shohësh një gjykatës të pajtohet me këtë.
Jeremy Saland, një ish ndihmësprokuror i qarkut, sugjeroi se ekipi i Trump mund të paraqesë një mocion të plotë për të hedhur poshtë aktakuzën – e njohur si një “mocion i Clayton”.
Rregulli i “gjyqit të shpejtë” në Nju Jork thotë se prokurorët duhet të jenë të gatshëm të gjykojnë një çështje penale brenda gjashtë muajve, por ajo që është në libra është shpesh e ndryshme nga ajo që ndodh në realitet.
Kujtojmë se Donald Trump është ish-presidenti i parë amerikan në histori që përballet me akuza penale.
Akuzat rrjedhin nga një pagesë e supozuar prej 130,000 dollarësh për aktoren pornografike Stormy Daniels gjatë fushatës së tij të vitit 2016 për Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë Trump ka shprehur dëshirën për të qenë kandidat i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
(BalkanWeb)
