Trupat ukrainase janë detyruar të tërhiqen nga disa pjesë të qytetit Bakhmut, përballë një sulmi të ri nga trupat ruse, njoftuan të premten autoritetet britanike. Moska po ushtron gjithnjë e më shumë trysni për të arritur një fitore përpara kundërofensive të pritshme nga ana e Kievit. Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia po sjell në Bakhmut edhe trupa nga zona të tjera, me synimin për të marrë kontrollin e qytetit pas rreth 9 muajsh përpjekjesh të vazhdueshme.

Ministria Britanike e Mbrojtjes thotë se Rusia i ka dhënë një hov të ri sulmit ndaj qytetit ukrainas Bakhmut, falë dhe një përmirësimi të bashkëpunimit mes forcave ruse dhe grupit ushtarak ‘Wagner’.

Duke iu referuar informacioneve të tyre të zbulimit, autoritetet britanike njoftuan në Twitter të premten se Kievi ka ende kontrollin e pjesës perëndimore të qytetit, por në 48 orët e fundit është përballur me sulme intensive me artileri nga trupat ruse.

Në raport thuhet se forcat ukrainase po përballen gjithashtu me probleme të mëdha të furnizimit e po tërhiqen rregullisht nga pozicionet që janë detyruar të lëshojnë.

Një ditë më parë Bashkimi Evropian futi grupin rus ‘Wagner’ në listën e sanksioneve për “pjesëmarrje aktive në agresionit rus kundër Ukrainës”.

Ndaj grupit rëndojnë gjithashtu sanksione “për veprime që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.

Në Konferencën e parë për Sigurinë në Detin e Zi, që u mbajt të enjten në Bukuresht të Rumanisë, Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksii Reznikov bëri thirrje për sundim të ligjit dhe jo forcës.

“Shkelja nga agresori i të gjitha parimeve ekzistuese të ligjit dhe rendit ndërkombëtar, kërkon që ne të rishqyrtojmë aspektet kritike të sigurisë rajonale. Kjo është në interesin më të mirë të çdo vendi në rajon. Nuk mund të mbështetemi në praktikat që kemi përdorur deri vonë, ato dështuan. Ukraina është e hapur të bisedojë rreth kësaj çështjeje. Uniteti i përpjekjeve të botës së lirë, do të sigurojë kthimin e shtetit ligjor, e jo sundimin e forces, si dhe do ta bëjë Detin e Zi, hapësirë të paqes”, tha ai.

Të enjten në një artikull të gazetës ‘Washington Post’ thuhej se dokumentet sekrete të qeverisë amerikane, të rrjedhura në median sociale, tregojnë se Agjencia amerikane e Zbulimit Ushtarak, ka arritur në përfundimin se lufta ka të ngjarë të vazhdojë edhe në vitin 2024. Po sipas dokumenteve edhe nëse Ukraina do të rimarrë pjesë të konsiderueshme territori e do t‘i shkaktojë Rusisë humbje në radhët e trupave të saj, kjo nuk do të çonte në bisedime për paqe. Po kështu, sipas të gjithë skenarëve të shqyrtuar, gjatë vitit 2023, nuk do të ketë gjasa për negociata për t’i dhënë fund konfliktit./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: