Edhe pse FBI ka autoritet të pakufizuar për të monitoruar mediat sociale dhe chat-et, nuk arriti që të zbulonte dokumentet sekretet të Pentagonit të cilat ishin publikuar në një nga këto platforma.
Fakti që kaluan muaj para se një fakt i tillë të evidentohej, ka ngritur shqetësime për aftësinë e Byrosë Federale të Hetimit për të vëzhguar faqet e internetit publike dhe private që mund të cenojnë sigurinë kombëtare.
Michael German, një ish agjent special i fshehtë i FBI-së për 16 vjet, tha se ishte e jashtëzakonshme që njerëzit e parë që trokitën në derën e 21-vjeçarit i cili akuzohet për rrjedhjen e këtyre informacioneve, nuk ishin agjentë të sigurisë por gazetarë të New York Times.
Vetëm disa orë më vonë FBI u shfaq në shtëpinë e tij në Dighton, zonë rurale e Massachusetts dhe arrestoi Jack Teixeira , 21 vjeç, një specialist IT në divizionin e inteligjencës të Gardës Kombëtare Ajrore të shtetit.
“Autoriteti i FBI-së për të monitoruar mediat sociale u zgjerua ndjeshëm pas sulmeve të 11 shtatorit në 2001. Nuk ka asnjë kufizim për të kontrolluar aktivitetin e mediave sociale, megjithëse rregullat janë më të komplikuara kur kemi të bëjmë me forume private. FBI punëson kompani private për të bërë kontrolle të gjera të mediave sociale në bazë të kontratave me vlerë miliona dollarë, por shpesh ato duket se fokusohen në grupe si aktivistët mjedisorë dhe politikë.
Kishte shumë prova në mediat sociale për planifikimin e sulmit në Kapitol, dhe megjithatë autoritetet dolën të papërgatitura për atë që ndodhi. Ose kompanitë e kontraktuara po shikonin gjërat e gabuara ose FBI i injoroi ato”, tha për The Times ish agjenti.
The Times raporton se përpara se të nisë një hetim në një platformë të caktuar të mediave sociale ose Chat room, FBI kryen një “vlerësim” të aktivitetit. Kjo mund të bazohet në një paralajmërim të brendshëm të informatorëve për aktivitet që mund të klasifikohet si mbulim i sigurisë kombëtare, terrorizmit ose veprimeve kriminale.
Në rastin e dokumenteve të zbuluara të Pentagonit duket se nuk ka pasur asnjë vlerësim të FBI-së në proces që mund të kishte çuar në një hetim për një rrjedhje të dyshuar.
“Sfida ishte se dokumentet fillimisht ishin të përfshira në një forum privat, të cilat janë më të vështira për t’u monitoruar, por ende mund të bëhen sipas rregullave të Diog-ut”, tha ish agjenti.
The Times sqron se kërkohet një urdhër gjykate për regjistrimin e komunikimeve private në kohë reale në një forum të kufizuar.
Sfida për FBI-në edhe në bazë të udhëzimeve më liberale të autorizuara pas sulmeve të 11 shtatorit dhe incidentit të 6 janarit është se të gjithë agjentët duhet të veprojnë brenda Kushtetutës, e cila rregullon fjalën e lirë dhe lirinë personale.
