Real Madrid nuk lë vend për surpriza, në Champions janë thjesht perfekt. Në “Stamford Bridge”, “mbretërorët” e Carlo Ancelottit kaluan pa shumë probleme Chelsea-n, fituan sërish me rezultatin e pastër 0-2 duke siguruar një biletë për në fazën gjysmëfinale.
Lajmi i vetëm është se Benzema nuk arriti të shënoj, por njeriu i ndeshjes ishte Rodrygo, autor i një dopiete.

Ashtu siç pritej, Chelsea ishte më kërkues, flirtuan me golin në më shumë se një herë, por Real Madrid me shumë eksperiencë i goditi dy herë në momentet e tyre më të mira. Në minutën e 58-të, Rodrygo realizoi golin e parë duke kaluar Realin në avantazh.

Në të 80-tën ishte sërish Rodrygo që gjeti rrugën e rrjetës, i shërbyer nga Valverde me portën e boshatisur. Kjo ishte hera e 16 që Real Madrid shkon në fazën gjysmëfinale, si askush tjetër më parë, Bayern dhe Barcelona e ndjekin me 12 prezenca në këtë fazë.
(BalkanWeb)
