Kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Aldrin Dalipi, kandidat për këshilltar të PS-së vlerësoi kandidaturat socialiste për zgjedhjet e 14 majit.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 Dalipi tha se socialistët që kandidojnë për këshillat bashkiakë do të përfaqësojnë interesin e qytetarëve. Ndër të tjera Dalipi u ndal dhe te premtimet e Këlliçit, siç ishte transporti publik falas për qytetarët, duke e cilësuar si veprim naiv.
“Kemi shumë të rinj, vajza e gra që përfaqësojnë interesa të Këshillit Bashkiak. Ka nga fusha të ndryshme dhe besoj është në listë cilësore që do të mbështetet nga qytetarët. Në këtë garë kemi hyrë për të fituar shumicën dhe në këtë kuptim ndjejmë edhe peshën e përgjegjësisë. Unë shpresoj që dialogu politika të shfaqet shumë në këto zgjedhje.
Qëllimi është t’i shërbejmë interesave të qytetarëve dhe jo politikës së ditës. Jemi çdo ditë në komunikim me qytetarët. Tirana sot nuk është ajo e shumë viteve më parë. Pas 14 majit ne do t’i shërbejmë sërish qytetarëve. E kam dëgjuar programin e Belind Këlliçit për transportin falas, por është gati në kufijtë e qesharakes. Duket si premtim i tramit, para 2015. Është shumë naive sepse nuk mbështetet në asnjë dokument, asnjë vizion. Në të ardhmen ajo që duam të bëjmë ne është modernizimi i transportit, këtë e ka thënë edhe vetë Veliaj”, tha më tej Dalipi.
Po ashtu ai ka dënuar ngjarjen e ndodhur në Shëngjin, ku u vra me armë zjarri një biznesmen, që ishte kandidat për këshilltar i Lezhës.
“Duhet të mbështesim organet e policisë dhe drejtësisë për të zbardhur këtë ngjarje, sepse është përfshirë një sipërmarrës dhe një kandidat”, tha Aldrin Dalipi.
(BalkanWeb)