Eduard Rroca ka lënë pas dëmtimin që e penalizoi në këtë pjesë të sezonit, teksa u kthye sot përsëri si protagonist në fushën e lojës me skuadrën e Istanbulspor në Superligën turke. Mesfushori shqiptar ka lëne menjëherë shenjë, duke shënuar atë që është goli i tij i dytë sezonal me fanellën e ekipit turk ku mban edhe shiritin e kapitenit.
Që në minutën e 6 të sfidës kundër Antaliaspor, Rroca mori një pasim në krahun e djathtë dhe me një diagonale të shpejtë çoi topin në rrjetë, duke i dhënë avantazhin e përkohshëm skuadrës së tij.
Ky ishte goli i dytë i Rrocës në këtë edicion, ku ka dhënë edhe një asist. Dëmtimet kanë penalizuar ndjeshëm futbollistin i cili ka luajtur në vetëm 16 ndeshje në këtë kampionat si pasojë e ndalesave të njëpasnjëshme për probleme fizike, në atë që është viti i tij i parë në elitën e futbollit turk.
(BalkanWeb)
