Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në studion e News24 në rubrikën “Opinion” ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, politike dhe ekonomike.

Sa i përket gjendjes së biznesit në vend, Lubonja deklaroi se në Shqipëri sot ekziston vetëm ai i pastrimit të parave të krimit, ndërsa industria e betonit është e vetmja që lulëzon dhe pasuron një grusht njerëzish.

Lubonja komentoi edhe kërkesën e Tatimeve ndaj Hysenbelliu sh.p.k. që të parapaguajë tatim fitimin e resortit “Prestige” për vitin 2023, duke thënë se kjo lidhet me qëndrimin e mediave të këtij grupi ekonomik.

Sipas tij qëllimi final është asgjësimi i medias si në rastin e investitorit italian Francesco Becchetti, ndërsa shtoi se në një rast ku qeveria nuk ka frikë dhe ende vazhdon me veprime të tilla, është një shfaqje e rrezikshmërisë së këtyre të fundit.

“Biznesi që shoh në Shqipëri është ai i pastrimit të parave të krimit. Në kohën e Enver Hoxhës ka pasur disa uzina me 150 mijë banorë. Sa fabrika ka sot që është shtuar popullata. Është vetëm industria e ndërtimit që pasuron një grusht njerëzish. Nga ky biznes vilen edhe taksat. Këto për mua janë pastrim parash të pista. Aventurierët me Ramën në krye nuk duan t’ia dinë sepse aq mend kanë për të parë ccfarë po i ndodh vendit.

Kjo hyn në një aspekt tjetër të asaj që po ndodh në vend në raport me lidhjen dhe interesat e politikës me biznesin. Më herët ka pasur më shumë shpërndarje grupesh. Teza ime është se kemi hyrë në putinizëm dhe jemi përballë një partie shtet. Me Hysenbelliun është pastrimi i atyre Kodorkovskëve, lidhet me qëndirmin ndaj mediave të Hysenbelliut. Kjo e bën më problematike këtë diktaturë të krimit. Kemi një avancim për më keq, ku kalojmë nga një pluralizëm oligarkik në monizëm oligarkik.
Këtu ka vetëm industri betoni, me në krye Ramën që po zapton dhe po shkatërron. Betoni po shkatërron vendin për të mbijetuar këta me paratë e pista. Qëllimi final është asgjësimi i medias si me Becchettin. Qeveria u dënua për të. Kur nuk ka frikë dhe vazhdon akoma kjo tregon rrezikshmërinë e tij. Këtu është luftë për demokraci, jo për biznese më të mira.

Në projektin e Ramës dhe taktikat e tij për të përçarë opozitën, ka ndërtuar tani një aleancë me pjesën e përçarë që u dha vulën, me Alibeajn. Ka një aleancë që në fund fare t’i përdorë edhe këta si mashë pasi u dha vulën. Tani kanë gjetur gjuhën e përbashkët që të thonë nuk mund të jetë Sali Berisha sepse është non-grata. Halli është për të parë pse u vendos emri i Metës kur kërkonin Berishën. E thanë që pas përçarjes, të përçajnë edhe më shumë demokratët.. Ka demokratë të vjetër që e quajnë Metën socialist. Kjo është e gjitha taktika. Ajo që është skandaloze është se institucionet si KAS që duhet të mbrojnë votën . Kur të ikë Saliu këta do trajtohen më keq. Kjo është vendosur qëllimisht, kuptohet që në gjuhën që përdorin. Këta të vulës i thonë partia e Metës, i bëjnë opozitë opozitës, jo Ramës. Më e keqja është ndjekja e regjisë së Ramës.
Në zgjedhjet lokale nuk pranohet që kryeministri të bëhet protagonist i fushatës. Votoni për mua thotë, ndërsa vendos Metën dhe Berishën poshtë, ndërsa opozitë i thotë atyre të tjerëve. Kështu ai thjeshtëzon mesazhin për njerëzit, mbulon pisllëqet që ka bërë me argumentin e non-gratës.
Në thelb këta nuk dalin dot nga zilia e të imituarit të shokut Enver dhe nomenklaturës. Ruajnë akoma privilegjet si atëherë, shkon ky udhëton me avionë privatë ky. Jemi akoma me ëndrrën për të qenë si shoku Enver”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: