Në takimin e Partisë Republikane në Devoll, Fatmir Mediu deklaroi se pushteti po përdor çdo mënyrë për tu imponuar dhe kontrolluar zgjedhjet.
“Ky pushtet kërcënon këdo që i vihet përballë me largim nga puna, për shkatërrim biznesi, me grabitje prone, duke u ofruar për të blerë votën dhe nderin, të ardhmen e fëmijëve tuaj”, tha Mediu.
Ai iu kërkoi zgjedhësve të shkelmojnë të keqen dhe të respektojnë të mirën, të tregojnë që dinë të bëjnë ndryshimin. Të ngremë lart rolin tonë si individ, të mbrojmë familjen si themeli i shoqërisë sonë, dhe të vendosim drejtësinë mbi pronën, përfundoi Mediu fjalën e tij.
Deputeti i Partisë Demokratike të Devollit Bledjon Nallbati theksoi se Devolli është lënë jashtë vëmendjes së pushtetit qendror dhe lokal dhe të gjithë ndërmarrjet efektive të bashkisë devollit i janë kaluar Korçës.
Më tej kandidati i opozitës Elvis Hajdërli një intelektual i zonës vlerësoi marrëdhëniet e tij me të gjithë banorët e Devollit pa dallim politik.
Ai theksoi se bashkia është e qytetarëve dhe nuk do të jetë strehë e korrupsionit dhe e pazarit të partive, por e mbështetjes dhe zgjidhjes së problemeve të njerëzve punëtore e të ndershëm të Devollit.
