Pas vetëm një sezoni në Kategorinë e Parë, Skënderbeu do të rikthehet në Superiore, pasi e siguroi matematikisht dy javë nga fundi, pas fitores 4-0 në Cërrik ndaj Turbinës.

Një meritë të padiskutueshme për këtë sukses ka edhe trajneri serb Ivan Gvozdenovic, i cili pasi u shpall 3 herë kampion si futbollist në elitën e futbollit shqiptar, tani është vetëm një fitore larg titullit si trajner në Kategorinë e Parë.

Në një intervistë ekskluzive për Neës 24, Gvozdenovic, pohoi se ka patur jo pak presion, pasi Skënderbeu është një emër i madh i futbollit shqiptar, por ia doli.

-Skënderbeu nuk u vonua shumë dhe u rikthye shpejt në elitë. Si ka qenë kjo periudhë ne krye të Skënderbeut? Ke pasur presion?

-Për ne ishte moment shumë i vështirë, sepse Skënderbeu është klub i madh, me emër të madh jo vetëm ne Shqipëri, por edhe në Europë edhe jemi për Superligë. Ishte presion i madh, shumë vështirë, por të gjithë bashkë ia dolëm dhe jemi në vendin ku e meritojmë.

-A do të vijoni të qëndroni në krye të Skënderbeut edhe për sezonin tjetër, keni biseduar me presidentin?

-Akoma nuk kam biseduar, nuk kemi mbaruar akoma, kemi dhe dy javë, kemi kohë, por do të ulemi në tavolinë dhe do të flasim bashkë. Jam shumë pozitiv.

-A ka klubi, drejtuesit, një projekt të qartë për sezonin e ri?

-Me sa di unë, nga klubi ka një projekt shumë të madh dhe shumë serioz.

-Sa shanse ka Skënderbeu të rikthehet sërish në majë, apo çdo gjë është e varur me dënimin e UEFA-s?

-Për vendimin nuk di asgjë, sepse është punë e klubit, por për pjesën tjetër mendoj se emi në Superligë, jemi klub i madh, do luftojmë përsëri për ta rikëthyer Skënderbeun në majë.

-Si ndiheni për këtë arritje në këtë fazë?

-Unë jam shumë i lumtur dhe i emocionuar, sepse unë kam qenë edhe një lojtar i Skënderbeut, u shpalla 3 herë kampion. Kur erdha këtu ishte moment i vështirë, kishin humbur besimin lojtarët, ishim si në gjumë, por javë pas jave ishim më mirë dhe tani jam shumë i lumtur. Unë e di si është Skënderbeu, e dinë tifozët, e dinë të gjithë tani, jam shumë i lumtur dhe i qetë. Nga këto 14 javë tani jam shumë i qetë, sepse ishte presion shumë i madh.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb