Mia Farrow mori pjesë me djalin e saj Ronan, dje, në Gala TIME 100, që u zhvillua në Nju Jork dhe nderon çdo vit 100 personalitetet më me ndikim në planet.
Prezantuese e eventit ishte Jennifer Coolidge, e cila u bë e njohur gjerësisht përmes serialit hit “White Lotus”. Galaja u nderua me prezencën e Mia Farrow, e cila bëri listën e këtij viti dhe u shfaq në tapetin e kuq me djalin e saj, Ronan.
Aktorja 78-vjeçare ka pozuar me djalin që ka me Woody Allen, por edhe e vetme në objektivin e fotografëve. Aktorja e njohur kishte veshur një fustan shumë elegant, të gjatë kadife në nuancë të bardhë, të cilin e ka plotësuar me sandale të zeza. Flokët i binin lirshëm rreth shpatullave, ndërsa aksesoret i kishte bërë me një çantë clutch të zezë dhe disa byzylykë.
Ronan Farrow zgjodhi të vishte një kostum të guximshëm floriri, këmishë të bardhë dhe këpucë të zeza.
Ai është gazetar dhe fitues i çmimit Pulitzer për raportimin investigativ për revistën The New Yorker. Raporti hetonte akuzat për sjellje të pahijshme seksuale nga manjati i Hollivudit, Harvey Weinstein, që dolën në dritë në vitin 2017.
