Deputeti i PD Saimir Korreshi ka folur në një lidhje “Skype” me News24 për situatën në terren dy javë para zgjedhjeve të 14 majit. Ai foli për takimet me banorët dhe një situatë të dobët ekonomike të tyre.
Korreshi deklaroi se gjitha bashkia e Lushnjës dhe resurset e saj po përdoren në funksion të zgjedhjeve.
“Takimet janë intensifikuar, fushata ka hyrë në dy javët me intensive. Fukarallëk i madh. Është ngritur e gjithë bashkia në funksion të zgjedhjeve, hedhje çakulli, investime shkel e shko. Ujërat e zeza që pastrohen nga përroi i qytetit përhapen në periferitë e lagjeve. Në lagjen time kundërmon, të shqyen era e keqe. Lushnja kthehet prapë fshat sot. Largohet dhe prokuroria e qytetit…këtu tani si fshati më i madh i Fierit”, tha Korreshi.
Sa i përket fondeve për bujqësinë, ai tha se asnjë fermer lushnjar nuk ka përfituar dhe se bujqësia po braktiset.
“Qeveria e ka kuptuar që më mirë tallava se sa t’u japësh gjë fermerëve. Asnjë fermer lushnjar nuk di të ketë përfituar nga ASHBR. Është turp i madh, në fshat blejnë qumështin e djathin. Po të kalosh rrugëve, shikon serat e braktisura. Njerëzit po mbjellin vetëm grurë që të nxjerrin bukë. Dikush bën domaten, dikush sallatorin, e kanë kthyer në klering, për t’i ndërruar se nuk arrijnë dot të mbulojnë shpenzimet”, tha deputeti i PD.
Ai deklaroi më tej se në disa fshatra ka vetëm disa pensionistë dhe invalidë.
“Pjesa tjetër po ikin, nuk ka krah pune. Nuk ka më njerëz. Shkollat nëpër fshatra e di si janë kthyer. Një mësuese për 5 klasa. Klasa me 2-3 veta. Nuk ka më fëmijë. Ligji parashikon që dhe bashkitë mund të japin grante për fermerët. Bashkia e Lushnjës me ato 700-800 mln lekë që i jep për futbollin, mund tua jepte fermerëve për mjete pune. Jepja brezit të ri. Atë naftën mos ia jepni vetëm PS-së një ditë para zgjedhjeve, por njerëzve në nevojë. Mos ia jepni atij që është patronazhist i PS-së që vete vetëm një ditë të punojë tokën. Tallen me njerëzit, i lënë nga tre ditë për të hapur nipte”, deklaroi Korreshi.
Deputeti i PD denoncoi dhe punësimet dhe fryrjen e administratës. Ai tha se gjithçka që po bën qeveria është politikë për shpërnguljen dhe se po shton të varfrit.
