Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare, Erl Murati, i ftuar në studion e News24 në rubrikën “Opinion” ka folur në lidhje me fushatën elektorale dhe problemet e procesit zgjedhor në tërësi.
Ai deklaroi se OSBE i ka bërë të ditura problematikat e zgjedhjeve, ndër të cilat përmendi përdorimin e burimeve shtetërore në prag fushate dhe çështjen e logos së PD-së.
Murati shtoi më tej se synimi i opozitës janë zgjedhjet e përgjithshme pas dy vitesh dhe në këtë garë elektorale është pozitive vetë pjesëmarrja që i hap rrugën garës për zgjedhjet e ardhshme.
Sa i përket fushatës së kandidatëve për kryebashkiakë, Murati tha se posteri i Belind Këlliçit që tërhoqi vëmendje për përdorimin e gishtave ishte i papërshtatshëm, por shtoi se as përdorimi i tallavasë nga pala tjetër nuk është një mënyrë evropiane e të bërit fushatë.
“Problemet e këtyre zgjedhjeve nuk janë të pakta, OSBE i ka bërë të ditura. është përdorimi i resurseve shtetërore në prag fushate që mund të ndikojnë në procesin zgjedhor. PD nuk po përfaqësohet me vulën e saj, KAS vendosi që vula i takon Alibeajt. Ky është problem për opozitën reale e cila përfaqësohet nga Berisha. Ne praktikisht kemi dy PD sot. Ky është problem që e njollos procesin zgjedhor.
Procesi zgjedhor në Shqipëri në përgjithësi ka problem që nga ndërhyrja e krimit te marifetet me numërimin e votave. Problematikat mbeten aktuale edhe pse proceset kanë ardhur duke u përmirësuar. Në bashkitë e vogla fakti që opozita nxjerr dy kandidatë mund të jetë vendimtare. Klasa jonë politike është përgjegjëse që Shqipëria renditet e fundit për shumë aspekte në klasifikimet ndërkombëtare.
Sondazhet ndihmojnë për të pasur një perceptim. Skandalet kanë qenë gjithmonë, nëse fitojnë kandidatët e PS do jetë zgjedhja e shqiptarëve, nuk do jetë rasti i manipulimit. Nëse shqiptarët vendosin kundër pushtetit, do votojnë për koalicionin “Bashkë Fitojmë”. Kjo situatë do reflektohet edhe në ditën e zgjedhjeve, nuk pres të ketë incidente të mëdha si dikur. Mund të ketë nga ata që refuzojnë votimin që mendon se kushdo që të fitojë nuk ndryshon gjë në jetë, por besoj se të gjithë duhet të votojnë. Populli e do politikën dhe ka pjesëmarrje në zgjedhje. Synimi i opozitës janë zgjedhjet e përgjithshme pas 2 vitesh. Sa më shumë pushtet të marrë në qeverisjen vendore, aq më mirë është për ta në garën për zgjedhjet e përgjithshme.
Për mua veprimi i Këlliçit me gishtat në postera ishte i papërshtatshëm dhe duhej evituar. Unë nuk i kam parë këto, as fushatë me tallava nuk kam parë si ai tjetri. Në përgjithsësi në Europë bëhet ballafaqim idesh dhe vizioni gjatë fushatave”, u shpreh ai.
