Nga: SHEFKIJE ISLAMAJ*

TIRANE – Gjuha e romaneve të Rexhep Qosjes është gjuha standarde me kufij të zgjeruar. Asaj nuk mund t’ia veshësh treguesit a asnjë idiomë organike, edhe pse brenda saj përdallojmë veçori të të folmeve gege, në rend të parë njësi leksikore të ligjërimit gegë, por edhe shmangie të qëllimshme në nivele të ndryshme gjuhësore. Në të vërtetë gjuha e romaneve të Rexhep Qosjes është gjuha standarde në kuptimin jo vetëm të përfshirjes, por edhe të krijimit të risimeve gjuhësore të nevojshme për shprehjen e tij gjuhësore-artistike. Këto risime në rend të parë i hetojmë në rrafshin strukturor dhe në rrafshin leksiko-frazeologjiko-sintaksor.

Në dijen mbi gjuhën dhe letërsinë, gjuha e veprës letrare trajtohet me të drejtë si e veçantë. Në prozën artistike të shkrimtarit Rexhep Qosja, që kap mbi dy mijë faqe, përfushet gjithë përbërshmëria e kësaj gjuhe të veçantë, prandaj studimi i saj edhe vetëm brenda romanit dyvëllimësh “Bijtë e askujt”1 merr një rëndësi të veçantë dhe provon qartë faktin e ditur se pa njohjen dhe të kuptuarit e natyrës së gjuhës nuk mund të studiohet e as të kuptohet as ana letrare e veprës. Me këtë nuk dua të them se ajo çka e bën një vepër artistiko-letrare është vetëm gjuha, me të cilën është ndërtuar ajo, por se kur studiojmë një vepër letrare, analiza e gjuhës duhet të marrë vendin e duhur. Stili funksional letraro-artistik lind vetëm në lirinë jashtë normës së ngurtë gjuhësore, prandaj është fare e kuptueshme pse Rexhep Qosja ndaj varianteve nuk mbështetet mbi parimin veçues ose – ose, por mbi parimin përfshirës a bashkues edhe – edhe. Edhe vetë rregullsia gjuhësore, si sistem, përfshin të gjitha mundësitë e gjuhës dhe kushtëzon veçorinë e saj thelbësore që përftohet me zhvillimin e saj, – variantësinë në të gjitha rrafshet e gjuhës.

Vepra letrare e Rexhep Qosjes zbulon qartë raportin që ka ai ndaj botës e ndaj gjuhës; ky raport është krijues e i ndërtuar mbi parimin e lirisë së gjerë krijuese, prandaj mund të flitet për krijimtarinë e tij artistike dhe për krijimtarinë e tij gjuhësore. Rexhep Qosja nuk na sjell vetëm botën e njohur dhe nuk shfrytëzon vetëm gjuhën e gatshme: ai krijon botë dhe krijon gjuhë, në të vërtetë duke krijuar gjuhën, krijon edhe botën e veprës së tij dhe anasjellas, prandaj analiza e veprës letrare duhet të shoqërohet edhe nga analiza gjuhësore-stilistike, sepse analiza e shprehjes gjuhësore nuk është e vlefshme pa analizën e përmbajtjes dhe anasjellas.

Kjo mënyrë e trajtimit të një vepre letrare është e rëndësishme si pikënisje për të kuptuar statusin e veçantë të stilit funksional të romanit “Bijtë e askujt” dhe raportin e tij me gjuhën standarde. Siç na është e njohur, stili funksional ka normën e vet që nis sidomos nga nevojat e veçanta shprehëse në praktikën ligjërimore; këtë e di mirë autori i saj, Rexhep Qosja. I kuptuar kështu, stili funksional parakupton jo mungesë norme, por normën e brendshme gjuhësore, në të vërtetë përzgjedhjen e veçantë brenda vetë gjuhës dhe, rrjedhimisht, brenda normës gjuhësore. Prandaj mund të themi se gjuha e këtij romani është shqipja standarde me kufij të gjerë lirie.

Normësia gjuhësore në romanin “Bijtë e askujt” shihet në të gjitha rrafshet, më dukshëm në drejtshkrim. Megjithatë, në këtë roman, sikundër edhe në tri romanet e tjera: “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri e shtatë faje” dhe “Nata është dita jonë”, kjo normë nuk i nënshtrohet rregullsisë së ngurtë, por është mjet i përpunimit dhe i ripunimit artistik të lëndës letrare-gjuhësore.

Duke qenë se gjuha e tekstit letrar-artistik është e veçantë, edhe norma e saj është e veçantë, që del nga vetë natyra e tekstit letrar. Shkrimtari Rexhep Qosja ka shfrytëzuar gjerësisht mundësitë e mjetet gjuhësore dhe me krijimtarinë e tij në këtë fushë i ka zgjeruar e i ka thelluar këto mundësi e këto mjete. Krijimtaria e tij gjuhësore artistike e risimet përfshijnë më së shumti rrafshin leksikor e atë sintaksor, në mënyrë të ndjeshme edhe morfologjik e fonetik. Këto risime përfushin mundësi të panjohura shprehëse të sistemit gjuhësor të shqipes, duke rritur edhe cilësinë ligjërimore të këtij sistemi, prandaj vepra e tij romanore kërkon interpretim të shumëfishtë semantik e jo përshkrim të thjeshtë gjuhësor-letrar.

E parë në raport me gjuhën si sistem e jo si standard, ligjërimi i romanit “Bijtë e askujt” është më shumë se stil funksional. Veçanësia qëndron te ndërtimi gjuhësor, i cili është i kushtëzuar nga bota e veprës: gjuha e romanit nuk është reale ashtu siç nuk është reale as bota e tij. Raporti midis gjuhës së tij dhe gjuhës në përgjithësi është i ngjashëm me raportin midis botës së romanit dhe botës reale; për shembull:

“Qitni dhé sa më shumë në atë varr, zotërinj varrtarë, dhe bëjeni atë varr sa më të madh, zotërinj varrtarë!”; “A e dini pse po kërkoj të qitni sa më shumë dhé në atë varr?”; “Nuk është kjo fjali e figurshme: as me kuptim të dytë, as të tretë, as të katërt, as të pestë, zotërinj varrtarë”; “Është fjali vetëm me një kuptim: qitni sa më shumë dhé në atë varr!”; “Le të bëhet varri i atij që varroset sa më i madh, sa më i dukshëm, sa më i bukur, sa më i veçantë”; “Le të bëhet varr që do të dallojë prej të gjitha varreve të derisotme në këtë vend”; “Se ai, që do të prehet përgjithmonë nën këmbët tuaja, nën kazmat dhe lopatat tuaja, ishte i madh, ishte më i madhi i të gjithë të mëdhenjve”; “Qitni sa më shumë dhé në atë varr, zotërinj varrtarë!”; “Në këtë vend, gjithmonë, kishte vend për varre – shumë vend për varre, por kishte pak vend për jetë” (f. 45).

Duke krijuar një botë të re letrare, si edhe një gjuhë të veçantë letrare-diskursive, siç shihet në këtë tekst të paraqitur, ai në mënyrë shumë të qartë ka shprehur poetikën e tij krijuese. Gjuha e këtij romani është përzgjedhje nga gjuha reale dhe nga gjuha imagjinuese, në të vërtetë është përpunim i ndërgjegjshëm i saj. Ky përpunim njeh pikarritje të lartë aq sa na lejon të nxjerrim përfundimin se autori, Rexhep Qosja, ka sjellë një ligjërim të veçantë, që identifikon edhe një stil të veçantë të përdalluar qartë nga gjuha e autorëve të mëdhenj të letërsisë shqipe. Kjo gjuhë, pra, ligjërimi i romanit “Bijtë e askujt, edhe pse i ndërtuar brenda „kufijve” të gjuhës standarde, nuk na krijon asnjë ndalesë, asnjë kufizim, asnjë „dhunë” nga bota e jashtme. Gjithçka që shkrimtari e ka ndier si të nevojshme në funksion të krijimit të botës së romanit të tij, është pranuar dhe është e lejuar, ndërsa ka mbetur jashtë gjithçka që nuk është në funksion të kësaj bote imagjinare të tij: ajo i është nënshtruar natyrës së saj të brendshme krijuese dhe kërkesave e logjikës botëkrijuese. Bota e veprës letrare, siç dihet, krijon logjikën vetjake dhe nuk njeh asnjë lloj logjike tjetër. Nga ky aspekt, mund të thuhet se autori, Rexhep Qosja, jo vetëm ka përpunuar sistemin gjuhësor, por edhe ka krijuar një sistem të vetin, jo vetëm gjuhësor, i cili sipas vëllimit dhe pikarritjes dhe, sidomos, sipas përzgjedhjes, motivueshëm artistikisht, ndonjëherë edhe jashtë sistemit të standardit të sotëm, mund të thuhet se jo vetëm është në pajtim me sistemin e gjuhës së sotme standarde, por se i kalon edhe kufijtë, ta themi kushtimisht, të këtij sistemi. Përzgjedhja është gjithëpërfshirëse dhe kjo e bën veprën e tij të veçantë nga shumë anë. Ai na jep gjedhen më të mirë të shkrimtarit që di të shfrytëzojë gjerësisht lëndën gjuhësore pa kufizimet burimore, shtresëzore, të përhapjes dhe të përkatësisë paradigmatike; për shembull:

Oh, Sami Saraçi! / Pikëllimi ynë shumë i vonuar! / Drejtësia jonë shumë e vonuar! / Ndërgjegjja jonë vonë e zgjuar! / Doni t’u jap deklaratë për të, tani, mbasi po i rikthehet letërsisë dhe historisë shqiptare. Posi. Me qejf. / E kam thënë dhe po e përsëris: ai përpiqej t’i shqetësonte bashkëkohësit. / Me shkrime. / Me fjalime në varrime. / Me sjellje. / Ai përpiqej t’i shqetësonte njerëzit me qëllim që të zgjonte ndërgjegjen e tyre. / Ai donte të na shëronte prej delirit që na kishte dehur! / Ai përpiqej të mos e linte popullin të binte në gjumë siç ra! / Ai shkruante dhe fliste për dhunën, për padrejtësinë, për humanizmin, për demokracinë, me gjuhën me të cilën flisnin mendimtarët dhe humanistët e mëdhenj Aristoteli, Zhan-Zhak Rusoi, Tomas Hobsi, Xhon Loku, Imanuel Kanti. Dhe, Papa Gjon Pali i Dytë! (II, f. 334).

Siç shihet nga ky tekst, vepra e tij nuk është vetëm fryt i imagjinatës, por edhe fryt i dijes e i përvojës jetësore dhe intelektuale, është shprehje më parë e së veçantës sesa e së përgjithshmes; në të nuk mund të depërtohet vetëm me tematizmin e të dhënave të përgjithshme.

Në romanin “Bijtë e askujt”, baraspesha e shfrytëzimit të njësive ligjërimore të shtresëzimit vertikal dhe, sidomos, të atij horizontal, si dhe përndarja e funksioneve në të dyja këto rrafshe, mund të konsiderohet e veçanta e ligjërimit artistik të shkrimtarit tonë. Secili nga tipat ligjërimorë horizontalë i nënshtrohet edhe diferencimit vertikal, prandaj brenda këtij ligjërimi gjejmë të realizuar ligjërimet: privat, publik, zyrtar, special, shkencor, administrativ e multimedial. Pikërisht këto ligjërime e bëjnë këtë roman të klasifikohet si roman postmodern.2 Duke qenë se “Bijtë e askujt” mund të cilësohet si një metaprozë për faktin se brenda saj kemi edhe rikontekstualizim, shfrytëzim të veprimeve të ndryshme si në kontekstin fiktiv, si në lidhjen midis fiksionit e të të dhënave reale, në të vërtetë midis imagjinares e faktografisë, edhe gjuha e këtij romani mund të cilësohet si metagjuhë. Metagjuha, në të vërtetë, është veçori e dalluar e romaneve të Rexhep Qosjes.3
Ajo që duhet të thuhet në këtë mes kur flasim për gjuhën e metagjuhën e këtij romani është: ligjërimi i romanit “Bijtë e askujt” formësohet përmes dy veprimeve: metaforizimit – përmes përzgjedhjes dhe zëvendësimit (substitucionit) dhe metonimizimit – radhitjes, përsëritjes, paralelizmit dhe kontekstualizimit. Edhe pse të dyja këto veprime janë përfaqësuar pothuajse në mënyrë të baraspeshuar për arsye të pranisë së ligjërimeve të ndryshme, metonimizimi mund të konsiderohet tipar dallues në këtë roman sikundër edhe në tre romanet e tjerë tij; për shembull:
Do të doja ta çojmë nga një, thotë. / Por, jo këtu, thotë duke e treguar Dajtin. / Nuk kemi ku tjetër. Nuk ka më kafene. / Lana? / Koka e gjelit? / Bjeshkët e Nemuna? / Mirë se vini kur të vini? / Nata dhe dita janë tuajat? / Ngjalat? / Sorkadhja? / Shtojzovallet? / Do t’u jepet çka kërkoni? / Te Bejtushi dhe djemtë e tij? / Vetëm unë nuk ua kam harruar emrat. Janë mbyllur që moti! / E di kush i ka mbyllur? Nuk e di apo bëhesh se nuk e di. As unë nuk ta them. Pse t’i fus unë vetes pyka. Nuk jam budalla. As nuk jam i dehur. Kush guxon të dehet! Të gjithë duhet të jemi esëll! Duhet të jemi esëll edhe kur pimë! Duhet të jemi të zgjuar edhe kur flemë! Duhet të jemi të ngirë edhe kur jemi të uritur! (I, f. 102).

Romani “Bijtë e askujt” dhe pasurimi i gjuhës standarde
Leksiku i romanit “Bijtë e askujt” është mjaft i gjerë dhe duhet të vështrohet sipas kritereve leksikologjike, fjalëformuese e stilistike. Mund të thuhet se nga të tria këto anë ky roman i sjell pasurim të ndjeshëm gjuhës standarde dhe gjuhës shqipe në përgjithësi. Studimi i gjuhës së romanit “Bijtë e askujt”, ashtu si edhe i gjuhës së romaneve të tjera të Rexhep Qosjes, patjetër duhet të udhëhiqet nga dije të ndryshme, jo vetëm të poetikës e të estetikës, po edhe të dialektologjisë e të leksikologjisë në përgjithësi. Edhe pse në shikim të parë gjuhëtarit mund t’i krijohet përshtypja se autori nuk i është drejtuar gjerësisht lëndës gjuhësore dialektore, leximi i vëmendshëm thotë të kundërtën. Në këtë kontekst dijet dialektologjike nuk i kuptoj si dije mbi idiomat organike, idiomat që nuk i janë nënshtruar përpunimit dhe as ndikimeve kulturore e mediale, në përgjithësi ndikimeve qytetëruese; nuk e kuptoj këtu dialektin as edhe si rezultat të abstraksionit të treguesve kryesorë midis idiomave të caktuara, po si pjesë qenësie të gjuhës shqipe, të mbrujtur në vetëdijen dhe në etnopsikologjinë e bartësve të saj.

Ndonëse në romanin “Bijtë e askujt” elementet dialektore janë të përfillshme, kjo nuk na jep të drejtë që autorin ta quajmë shkrimtar dialektor, përkundrazi, përdorimi i idiomave dialektore, përkatësisht i elementeve dialektore në rrafshe të ndryshme gjuhësore, gjithmonë është motivuar nga qëllime artistike e gjithmonë mund të vlerësohen si letrare. Mund të thuhet se edhe shumë elemente morfologjike, leksikore, frazeologjike, deri edhe ndërtime sintaksore, edhe pse në dukje të parë na ngjajnë dialektore, ato më shumë mund t’i shohim si elemente gege të integruara tashmë në gjuhën standarde, përmes letërsisë, publicistikës, thjeshtligjërimit etj.; për shembull:
“Tarik Saraçi ishte saraçi i parakohshëm i takëmeve të demokracisë. Fatkeqësisht, gjeli që këndon para kohe përfundon në vegsh më shpejt se ata që nuk këndojnë kurrë” (II, f. 337); “Shumë më tepër sesa babait, Shahini i ngjante nënës”; “Ishte trup mesatar. Dhe, i rrastë, si thesi i zatetur miell” (I, f. 86).
Shembujt janë tipikë për të përligjur ato që thamë më lart dhe çelin rrugë për të nxjerrë përfundimin që shkrimtari shpesh ose më së shpeshti i ka shfrytëzuar mjetet dialektore për të krijuar neologjizma semantikë a ndërtime frazeo-sintagmatike, me çka e ka pasuruar gjuhën standarde shqipe e jo thjesht për të tipizuar krahinorisht personazhet.

Edhe pse në shikim të parë jo i përdorur me denduri të shquar, leksiku me treguesin e vjetërsisë (arkaizmat), që ende jeton në idiomat dialektore, zë një vend të përfillshëm në këtë roman. Leksemat-arkaizma nga shkrimtari shfrytëzohen shpesh të modifikuara mbi bazën e leksemave ekzistuese dhe zëvendësimi i tyre ndodh ashtu siç ndodh me historizmat. Fjala është për leksema burimesh të ndryshme, si: kanicë e kalenicë “enë”; kanicore “enë”; kamxhikoj “rrah me kamxhik”; lëshojkë “grua e lëshuar, e divorcuar”; zhgunajë “pëlhurë zhguni”; patllake “lloj alltie”; rrospillak e rrospillan “burrë i parehatshëm, që del përtej kurorës”; lapuzh “përçmuese për dikë që ka sjellje jo të mira”; llokmaxhi “grykës, fig. që ha në sofër të huaj, pa paguar”; palldum “përçm. për dikë që ka trup të madh e të pagdhendur”; defterdar “njeri që mbante defterët në kohën e Turqisë” etj. Këto fjalë shkrimtari i ka përdorur i nxitur nga motivi për të gjetur fjalën më të goditur për shprehjen e tij artistike.
Një drejtim tjetër i rëndësishëm i krijimtarisë gjuhësore të shkrimtarit Rexhep Qosja, nga ana leksikologjike, është prania e disa tipave të leksemave të kushtëzuara nga ana socio-linguistike, si ato nga ligjërimi politik, publicistik e shkencor: kriptokomunistë, kundërkomuniste, kundërqëndroj, kundërshkencore, kundërniçeane, kryearkivist, kundërkrijues, kundërartistik, hereziark/ët, bizantinishte, bushizma/t (e krijuar nga emri i kryetarit amerikan Bush), renegatëri, pandërmjetësueshëm, zakonësi, çmimlirë etj. Nuk është i vogël as numri i leksemave nga gjuha profesionale dhe të tilla që janë shfrytëzuar për diferencim mjedisor.

Me këtë rast e shohim të udhës t’i sillemi një aspekti të veçantë gjuhësor-stilistik të këtij romani, për të dëshmuar se edhe vetëm nga ky aspekt mund të përcaktojmë përbërës të dalluar që e shquajnë stilin e gjuhën e shkrimtarit. Kjo është krijimtaria leksikore-fjalëformuese, të cilën e çmojmë me interes të veçantë jo vetëm si përdalluese të stilit të tij, por edhe si pasuruese me peshë e gjuhës standarde shqipe dhe, përgjithësisht, e neologjisë shqipe. Kjo shtresë leksikore bëhet identifikuese e gjuhës dhe e stilit të shkrimtarit, jo vetëm në veprën letrare, por edhe në gjithë krijimtarinë e tij e sidomos në atë me karakter politik, publicistik e polemik. Po japim një shembull nga pjesa e parë e romanit:
“Dhe, unë isha anëtari i Partisë së Punës, që do të bëj nëntë vjet burgje pas kësaj mbledhjeje, në të cilën ishte shquar Shqipëria dhe kishte shkëlqyer si yll polar ylli i Enver Hoxhës, do t’ju përgjigjem sinqerisht, pa e shtrembëruar aspak të vërtetën, siç po e shtrembërojnë sot gazetarë, publicistë, historianë, që kanë ndërruar qyrkun dhe, politikanë, po ashtu qyrkndërruar, në të vërtetë politikanë të vetërrjepur nga larja e së kaluarës” (f. 108).
Në roman gjejmë një numër të madh fjalëkrijimesh, në të shumtën e herës, sipas gjedheve të njohura të fjalëformimit të shqipes, ndër të cilat mbizotërojnë ato me ndajshtesim e përngjitje. Autori shfrytëzon parashtesat, prapashtesat dhe sindajshtesat e burimit shqip, por edhe të burimit grek e latin: syhaptësi, shtigëri, sipëri, paskajësi, shpërfolje, përhijim, skajësisht, gjithëfuqi, jofuqi, jongjitëse, jokufitare, faqekuqërremtë, fulqinjgjerë, fulqinjngushtë, gjashtëgishtakë, mendjepakët, mendjevogël, passhuplakë, bojëtulle, vetërjepur, mirëfilltësore, mirëgënjej, poshtëshkrime, mesarak, antiart, hereziark/ët, burgrafi, bizantinishte, myslimanofob etj.
Në grupin e madh të këtyre formimeve shquajnë formimet librore – ekspresive, të cilat pasurojnë ndjeshëm gjuhën e sotme shqipe e ligjërimin dituror. Për ilustrim po sjellim disa nga këto formime: puthadorës, puthakëmbës, heshtak, lajmsjellës, larghedhës, lartndershëm, lavdimadh, bashkëquhem, bashkëshkrimtar, tokësohem “aterroj” etj. Në romane shquan përpjekja e autorit jo vetëm për të përdorur formime pak a shumë të njohura, por edhe të krijojë fjalë të reja nën ndikimin e strukturës poetike të fjalorit të shqipes. Në këtë grup përfshihen një numër i përfillshëm formimesh si këto: fundbotshëm, gjithkundshëm, gjithmonshëm, heqkeqës, gjinjëvogël, bukurkuptimshëm, mezidukshëm, mezipritshëm, keqtingëllues, tingullkëndshme, kurrnatë, kurrnajë, mirëfilltësore, mbrëmësore, vetmishte, i xhevahirtë etj. Disa nga këto formime të shkrimtarit përtashësohen mirë sidomos në tekstet që funksionojnë si struktura gnomike, për shembull:
“Kopjimet kurrë s’tregohen të suksesshme. Kopjojnë mendjevegjlit, kurse mirëfilltësorë janë mendjelartit!” (I, f. 122).
Risitë gjuhësore e strukturore në funksion të pasurimit të gjuhës standarde janë jo të pakta në këtë roman. Disa nga këto përvijojnë edhe shtresëzimet e gjuhës së romanit, në të vërtetë shtresëzimet e tij semantike në përgjithësi. Këto shtresëzime mund të bëhen të njohura nëse analiza letrare e gjuhësore niset edhe nga vëzhgimet e stilit të vetë shkrimtarit në gjithë krijimtarinë e vet të gjerë. Në këtë pikëvështrim romani “Bijtë e askujt” është shumë i përshtatshëm për analiza që nisin nga stilistika e shprehjes, përkatësisht nga strukturat e veçanta gjuhësore e funksionimi i tyre brenda sistemit, si dhe nga semantika, e parë në raportet midis formave e mendimeve, në të vërtetë nga shprehja që del si rrjedhojë e situatës dhe e kontekstit brenda tërësisë së mundësive gjuhësore të autorit, përkatësisht të kësaj vepre.
Çka mund të thuhet si përfundim në këtë shkrim të shkurtër, që mëton të nxitë studimet për prozën e njërit prej shkrimtarëve më të veçantë të letërsisë së sotme shqipe? Mund të thuhet se depërtimi në këtë vepër shumështresore dhe shumëkuptimore nuk është aspak i lehtë. Mund të na ndihmojë shumë intuita e ndjenja jonë gjuhësore e materializuar përmes vrojtimeve të holla dhe analizës së detajit. Në këto analiza intuita është me rëndësi e mund të zbatohet edhe në një shkrim të shkurtër si ky me pretendime të ngushtuara sipas formulimit kufizues të titullit në krye të tij.
Tipologjia e mjeteve të shprehjes (e mjeteve gramatikore e jogramatikore) dhe tipologjia e tipave të ligjërimit do të jepte një pamje pothuajse të plotë të gjuhës artistike të këtij romani. Kjo tipologji do të ndihmonte që analiza gjuhësore e stilistike të mos rrëgjohet në një radhitje formale të dukurive gjuhësore e stilistike dhe në një përcaktim të asnjëqëllimtë të dendurisë së paraqitjes së tyre. Mendimi shumë i njohur që “gjuha shpreh, kurse stili shquan” është i rëndësishëm për analizën që ka për qëllim të përcaktojë stilin e shkrimtarit Rexhep Qosja, ashtu si edhe mendimi i shumëshfrytëzuar i Mishel Rifateres4 se stili duhet të kuptohet si “shquarje, theksim (i ekspresives, i afektives ose i estetikes), që i shtohet informacionit”, që përmban një strukturë gjuhësore pa ia ndryshuar kuptimin asaj. Në këtë kontekst duket sikur mendimi i këtij të fundit është formuluar pikërisht për stilin e shkrimtarit Rexhep Qosja, sepse pikërisht shprehësia, afektivja dhe estetikja e romaneve të tij përcaktojnë qartë stilin e tij, duke e bërë shumë të dallueshëm nga stili i gjithë shkrimtarëve me emër të letërsisë shqipe, ndoshta edhe më gjerë, edhe përmes risimtarisë gjuhësore.
(Footnotes) ——————————
1 Rexhep Qosja, Bijtë e askujt, I, II, “Valdoli”, Prishtinë, 2010.
2 Studiues të veprës letrare të Rexhep Qosjes i kanë cilësuar edhe romanet e tjerë të tij si postmoderniste, ndër ta edhe studiuesja e mirënjohur Floresha Dado: “Me tre romanet, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Një dashuri dhe shtatë faje dhe Nata është dita jonë, në të cilat ndahen, bashkohen, pajtohen, shpërbëhen tiparet moderniste dhe postmoderniste, R. Qosja mund të konsiderohet si një ndër përfaqësuesit më të konsoliduar të letërsisë postmoderniste shqiptare”. Floresha Dado, Rexhep Qosja: Postmodernizëm në letërsinë shqiptare, në “Gjurmime albanologjike”, 41/42, IAP, Prishtinë, 2012, f. 299-310.
3 Duke folur për romanin “Nata është dita jonë”, Floresha Dado ndër të tjera thekson: “Një gjuhë që i përket në të vërtetë metagjuhës, një mendim që shihet si një sistem strukturor, mendor dhe jo si një akt i një vetëdije me lidhje të drejtpërdrejtë me realitetin” – Floresha Dado, Rexhep Qosja: Postmodernizëm në letërsinë shqiptare, në “Gjurmime albanologjike”, 41/42, IAP, Prishtinë, 2012, f. 299-310.
4 Michael Riffaterre, Kriteriji za stilsku analizu, “Quorum” 5-6, Zagreb, 1989.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb