Pas botimit të shënimeve e rrëfimit ekskluziv të Pandi Kristos, (të botuara në disa numra) ish-anëtar i Byrosë Politike dhe një nga themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë në mbledhjen e 8 nëntorit 1941, dhe njëri nga ish-ministrat kryesorë më të fortë të Qeverisë Shqiptare të viteve 1945-1948, nga sot, po fillojmë botimin e kujtimeve të vajzës së tij të vetme, Asamble Vullkani (Kristo), e cila tregon për brengën që e ndjek edhe sot për emrin që i vuri Enver Hoxha, njeriu që urdhëroi më pas, burgosjen e babait të saj në Burrel dhe disa kampe e burgje të tjera, dhe internimin e gjatë në rrethin e Lushnjës, ku ata qëndruan familjarisht deri në vitin 1993.
Në pjesën e parë të kësaj interviste, Asambleja, vajza e vetme e Pandi Kristos, flet për rininë e hershme të mbushur plot përbuzje e fyerje nga shokët e shoqet e saj dhe për neverinë e drejtuesve të Komitetit të Bashkimit të Rinisë së Punës së Shqipërisë të kryeqytetit. Takimet me babanë e saj në burg dhe për dëbimin e familjes së saj nga Tirana, për në Lushnjë. Jetën e zymtë të familjes së ish-mikut të ngushtë të Enver Hoxhës dhe punët e rënda që bënin gjatë internimit, në Fermën Bujqësore të Çermës. Sjelljet e përbindshme të të plotfuqishmit të Sigurimit të Shtetit dhe të tjerëve. Si i dërgoi letër Enver e Nexhmije Hoxhës, për të vazhduar studimet e larta dhe reagimet pas kësaj letre, që shtuan edhe më shumë fatkeqësitë e familjes. Ja pjesa e parë e tregimit të saj tronditës.
Znj. Asamble, çfarë kujtoni nga fëmijëria juaj për babanë e burgosur dhe të internuar aq gjatë, me të cilin kemi bërë një intervistë të gjatë ekskluzive të botuar në gazetën “Panorama”, para se ai të ndahej nga kjo jetë?
Vitet e para të fëmijërisë sime, si të çdo njeriu, më kujtohen zbehtë e shumë të mjegulluara. Mbaj mend që, luaja bashkë me shoqet e mia me kukulla, kërceja me litar, luaja symbyllazi, me peta etj. Por, gjithsesi, një gjë është e saktë e që më ka mbetur pa u shlyer në kujtesë: babanë nuk e mbaj mend të lirë, në shtëpi, por vetëm të burgosur prapa hekurave të burgut dhe që unë me mamanë, gjyshen e shpesh edhe me motrat dhe vëllanë e babait, shkonim për ta takuar. Si fëmijë që isha, më bënte shumë përshtypje, përse babai nuk vinte të jetonte në shtëpi me ne, por rrinte atje në burg, i rrethuar nga policë e gardianë? Mamaja, halla dhe xhaxhai Koço, për të mos ma thyer gëzimin fëminor, mundoheshin më njëmijenjë mënyra, të ma fshihnin disi të vërtetën. Ata të tre, ma shpjegonin mua faktin e mungesës së babait në shtëpi, me trillimet e tyre naïve, duke thënë se babai, ishte me shërbim në atë vend, që mua më dukej shumë i zymtë. Herë të tjera, ata më thoshin se ja, së shpejti, babai do të vinte në shtëpi etj., etj…!
Por unë po rritesha. Fillova të shkoj në shkollë që ishte një gëzim i veçantë për mua, sepse kisha ç’t´i tregoja babait nga bëmat e mia të shkollës, por ai nuk po vinte në shtëpi. Sa isha ende fëmijë, në shkollë, shokët dhe shoqet, por edhe mësuesit dhe mësueset, më kanë trajtuar mirë. Nuk kam ndier kurrë dallim nga sjellja e tyre që kishin me fëmijët e tjerë të klasës apo të shkollës. Me mua, shoqet dhe shokët e mi, loznin pa bërë asnjë dallim apo diferencim. Të paktën kështu më dukej mua. E nga ta dija unë, se çfarë flisnin ata pas shpinës time. Nga ta dija se, çfarë u flisnin atyre instruktorët e rinisë për mua e babanë dhe si i mësonin të silleshin ndaj meje?! Por, dita e thyerjes së zemrës e shpirtit tim delikat, erdhi në një nga ditët e zakonshme të vitit mësimor 1957-1958. E mbaj mend si sot, tronditjen e madhe që pësova, kur një bashkënxënës i klasës sime, më fyeu midis shokëve, me fjalët që më goditën si breshëri plumbash të akullt: “… ne nuk duam të lozim me ty, se ti nuk je shoqja jonë. Ti je e bija e armikut të popullit, që është në burg…”, e shprehje të tjera të rënda, që mua ma copëtuan shpirtin.
Sigurisht, unë u preka në sedër e u pikëllova pa masë. Si ishte e mundur vallë që, unë të rrija e izoluar nga shokët dhe shoqet, në oborrin e shkollës, apo në pushimet midis orëve të mësimit?! Atë ditë, m’u duk jeta ime, e cila po hidhte hapat e para të adoleshencës, e zezë sterrë dhe pa rrugëdalje e, mbaj mend që kam shkuar në shtëpi, duke qarë me dënesa. Më pas, kur u rritëm, ky shok që më fyeu aq rëndë, përballë të gjithë klasës, më ka kërkuar shumë e shumë herë të falura, por unë, nuk e fala asnjëherë, sepse fyerja që më bëri, më kushtoi aq shumë nerva dhe dënesa, e poshtërimi ishte tepër i madh dhe i papranueshëm. Në këto kushte, duke qenë tejskajshëm e prekur dhe e indinjuar, megjithëse nuk e kisha zakon, iu ankova drejtoreshës së shkollës “Naim Frashëri”, mësueses time të respektuar Dhora Karoli.
Drejtoresha, e indinjuar për këtë gjest, më shumë se rrugaçëror të atij djali emocional, të cilit unë nuk dua t’ia përmend emrin, e transferoi në degën e shkollës sonë, që ndodhej aty pranë. Por, kurrsesi nuk mund të harroj ambientin e ngrohtë që na ishte krijuar në lagjen ku jetonim, në rrugën “Halim Xhelo”, në Tiranë. Aty u njoha me familjen e Liri Kalesha, e cila ishte dhe mbeti shoqja ime më e ngushtë. Babai i saj, Sali Kalesha, më donte fort, njëlloj si vajzën e tij dhe ndiqte me kujdesin e një prindi të vërtetë, ecurinë time në shkollë e në mësime. Ai vinte rregullisht në takimet me prindërit, që organizoheshin në shkollë çdo javë. Aq e madhe ishte dashuria e tyre ndaj nesh, sa kjo, shprehet edhe me një akt të tyre të pashembullt. Ishte Liri Kalesha, ajo që më ka ardhur e më ka vizituar në Lushnjë, kur ne ishim të dëbuar me status dhe në atë kohë, kur nuk na shkelte njeri në shtëpi.
