Ky në këtë foto është Ismail Mulleti. Është shqiptari i vetëm deri tani, emri i të cilit rezulton i përfshirë në dosjet voluminoze të skandalit financiar “Panama Papers”. Ai është bashkëpronar në “GFI Techonologies” me izraelitin Assaf Halkin.

Kjo kompani, që në Shqipëri ka fituar koncesionin e markimit të karburanteve, është një prej atyre që është krijuar në parajsën fiskale të studios ligjore “Mossac Fonseca” në Panama.
Dy ortakët e kanë regjistruar kompaninë në maj të vitit 2013 në ishullin Anguilla në Amerikën Qëndrore.
Mulleti dhe Halkin kanë edhe një kompani tjetër të regjistruar në Shqipëri. Dokumentat e QKR tregojnë se ata janë ortakë me nga 45 % në kompaninë “IMAH”, me adresë në qendrën e biznesit në rrugën “Murat Toptani”.

Mulleti është një emër me një histori të gjatë në Shqipëri. Ai njihet si i përfolur për lidhje me kompaninë “Shqiponja” shumë afër PD, gjatë viteve 1992-­1996, dhe bizneseve të tjera të afërta me PD.
Ndërkohë, Shqipëria në dosjen voluminoze Panama Papers figuron edhe me tre përfitues, 22 aksionerë edhe 2 kompani.

Bota reagon, autoritetet shqiptare heshtin
‘Panama Papers’ shkaktoi një ‘tërmet’ në mbarë botën. Emra liderësh përfliten se i kanë shpëtuar detyrimeve fiskale duke fshehur miliona euro apo dollarë të padeklaruar në Panama. Autoritetet panameze kanë reaguar duke theksuar se do të hetojnë, qeveria e Spanjës theksoi se do hetojnë mbi rastin e Messit. Kremlini i prekur nga emri i Putin në dokumentet e Panama Papers, reagoi duke u shprehur se kjo ishte një shpifje dhe putonofobi.
Ndërkohë Islanda është tronditur kur ka mësuar se kryeministri i tyre rezulton se është pjesë e parajsës fiskale, dhe mijëra kanë zbritur në shesh në protestë kundër qeverisë.
E ndryshe nga këto në Shqipëri deklaratat mbi Panama Papers janë të zbehta. Pandeli Majko në komisionin e ligjeve bën ironi me opozitën, duke uruar që mos të dalë ndonjë emër tjetër.
Kurse Petrit Vasili reagon mbi cështjen Panama Papers, duke kërkuar që qeveria të mbyllë cdo shteg mbi lejimin e parajsave fiskale. Por asnjë deklaratë mbi personin të cilit i rezultoi emri në këtë aferë që po trondit botën. Deri tani asnjë deklaratë se cilat do të jenë hapat që do të ndiqen mbi personin në fjalë, nëse do të ketë hetime mbi këtë cështje.

‘Panama Papers’, reagon Prokuroria e Përgjithshme: Po bashkëpunojmë të qartësojmë situatën
Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme shprehet sot se ka ende paqartësi lidhur me përfshirjen e personave shqiptarë në skandalin e Panama Papers.
24 orë nga bërja publike e lajmit mbi Ismail Mulletin si shqiptari i parë i përfshirë në skandalin e parajsës fiskale në Panama, Prokuroria shqiptare shprehet se po bashkëpunon me institucione të tjera ligjzbatuese për të qartësuar situatën mbi përfshirjen e mundshme në cështjen “Panama Papers” të kompanive ose shtetasve shqiptare apo të huaj që operojnë në tregun financiar shqiptar.

Mulleti e mori koncesionin nga Berisha, por e mbrojti Rama
Emri i vetëm është ai i publikuar prej të përditshmes izraelite Haaretz si “Ismail Mulati”.
Por emri mund të jetë i ngatërruar ose ndërruar. Ai rezulton bashkë me një avokat izraelit si pronar i GFI, kompanisë që mori nga qeveria Berisha në ditët e fundit të mandatit të saj më 2013-n koncensionin e markimit të naftës.

Mediat në vend identifikuan personin e lidhur me këtë rast si Ismail Mulleti, një njeri i përmendur edhe më herët në media për disa biznese, por identifikimi nuk është i qartë.
Nga të dhënat rezulton se shqiptari bashkë me një avokat nga Izraeli Assaf Halkin zotërojnë GFI.
Asnjë nga të dy nuk rezulton aksioner i kompanisë në Shqipëri, ku pronari i vetëm është “Petrolium Consulting Partners A.G” dhe bashkëpronare në 0.7 për qind të aksioneve kanadezja “Global Fluids International”, e cila në fakt ishte kompania shumicë në kohën e fitimit të koncesionit, por që më pas i shiti aksionet e veta te ortaku i “PCP”.
Kompania blerëse rezulton të jetë regjistruar në Zvicër, por aty ajo nuk ka pronar të listuar por vetëm avokatë përfaqësues dhe sipas “Panama Papers” origjina e saj është në ishullin e Anguillas, ku është regjistruar pak kohë para se të fitonte nga qeveria shqiptare e asaj kohe një nga kontratat më të përfolura, por edhe më të majme koncesionare, atë të ngjyrosjes së karburanteve.
Kontrata që ata kanë më Shqipërinë është një biznes gati 200 milionë euro, i cili ka lindur si një kompani “off shore” dhe që vazhdon të mbetet i mistershëm edhe sot.
Ai i markimit nuk është i vetmi koncesion i dhënë për kompani “off shore”, të paktën në disa raste të tjera, kompanitë që kanë blerë apo kanë kërkuar të blejnë asete në Shqipëri nuk kanë pronësi të qartë dhe adresat e tyre shkojnë në kompani të mistershme.
Por ndërkohë pjesa shqiptare në “Panama Papers” mbetet e pazbardhur.
Kjo nuk e ka penguar median që të shpërthejë me spekulime dhe ta lidhë emrin e Mulletit me atë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Disa të përditshme theksojnë se Mulleti e ka marrë koncesionin e majmë nga qeveria e Berishës.
Megjithatë, kur kjo marrëveshje konçesionare u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata e Hidrokarbureve, ishte pikërisht qeveria e Edi Ramës që e mbrojti.
Sipas tyre, marrëveshja nuk cenon lirinë ekonomike.

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: