Presidenti amerikan Joe Biden ka propozuar James O’Brien për postin e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, njofton Shtëpia e Bardhë.

James O’Brien është aktualisht Shefi i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën Ambasador në Departamentin e Shtetit të SHBA-së.

Më parë, O’Brien shërbeu në dy administrata amerikane si i dërguar special presidencial. Ai shërbeu gjithashtu si Këshilltar i Lartë i ish-Sekretares Madeleine Albright, Zëvendës Drejtoreshë kryesore e Planifikimit të Politikave dhe i Dërguar Presidencial për Ballkanin.

“Gjatë karrierës së tij në Departamentin e Shtetit, ai ka udhëhequr një program të madh dhe të suksesshëm sanksionesh dhe ka këshilluar për një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat e paqes në Evropë, marrëveshjet shkencore dhe mjedisore dhe iniciativat për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës për krimet e luftës.
O’Brien ka negociuar gjithashtu marrëveshje që mbrojnë të drejtat e pronësisë intelektuale për bashkëpunimin shkencor me Kinën, ka promovuar rregullore të shëndosha mjedisore të tregtisë ndërkombëtare për materialet e rrezikshme dhe të riciklueshme dhe ka punuar për t’i bërë partneritetet publike-private dhe përgjegjësinë sociale të korporatave një element të rëndësishëm në politikën e jashtme amerikane”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb