Kontributi i Britanisë në misionin e NATO-s në Kosovë (KFOR) do të vazhdojë deri në vitin 2026.

Lajmi është konfirmuar nga ministri britanik i Mbrojtjes, James Heappey, gjatë një vizite në Kosovë.

Në njoftim thuhet se gjatë vizitës në Prishtinë, ai bisedoi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, kryeministrin, Albin Kurti, me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandantin e KFOR-it.

Në njoftim zyrtar të ekzekutivit britanik thuhet se Kosova është një partner i rëndësishëm për Britaninë, derisa të sjell në kujtesë njohjen e shpejtë të Kosovës dhe se faktin se forcat britanike kanë marrë një rol kyç në ruajtjen e paqes dhe forcimin e sigurisë në rajon për më shumë se dy dekada.

“Ishte kënaqësi të takohesha me Presidentin dhe Kryeministrin e Kosovës dhe të njoftoja përkushtimin e mëtejshëm të Britanisë për Forcën e NATO-s në Kosovë. Zgjerimi i angazhimit tonë në kuadër të KFOR-it nënvizon angazhimin tonë të palëkundur për të mbështetur sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Heappey.

Më tej thuhet se Britania ka qenë një vend kontribuues kyç në forcën e NATO-s të mandatuar nga OKB që kur ajo hyri për herë të parë në Kosovë në 1999 si një forcë paqeruajtëse për të sjellë paqe dhe stabilitet pas konfliktit të viteve 1990.

KFOR-i vepron si një nga ofruesit kryesorë të sigurisë në Kosovë, me trupa të kontribuar nga rreth 30 vende duke përfshirë Italinë, Turqinë, Poloninë dhe SHBA-në, si dhe Britaninë e Madhe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: