TIRANE- Një tjetër minimum historik shënohet për normën bazë të interesit të lekut. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka ulur nga 1.75 në 1.5% interesin e lekut, me qëllim stimulimin e kredisë dhe konsumit.
Ky është një lajm i hidhur për ata që kanë depozita, pasi interesi vjetor që japin bankat për kursimet në lek do të vijojë të bjerë, ndërsa synohet të lehtësohen interesat e kredive.
Të mërkurën në një konferencë për shtyp, Guvernatori i Bankës Qendrore, Gent Sejko, u shpreh se “Këshilli Mbikëqyrës në mbledhjen e radhës, vendosi këtë masë, pasi mori në shqyrtim Raportin e Politikës Monetare dhe u njoh me zhvillimet më të fundit ekonomike, monetare e financiare në vend, si dhe në vijim të diskutimeve mbi ecurinë e pritur të tyre”.
Kjo është hera e 15-të rresht, që Banka Qendrore ul interesin e lekut, por megjithë lëvizjet e saj, sërish kredia vijon të jetë në rënie dhe interesat e saj mbeten në nivele të larta.
Qëllimi kryesor këtu është që paratë e konsumatorëve dhe bizneseve të investohen në ekonomi dhe të mos rrinë të mbyllura në banka.
(el.sp/BalkanWeb)
