PRISHTINE- Kënga e Shqipërisë në Eurovision do ketë zërin e përfaqësimit të gjithë shqiptarëve edhe në Kosovë e trojet tjera etnike, edhe në diasporë – në Evropë, SHBA dhe kudo në botë. Këtë e tha sot këngëtarja Eneda Tarifa në një konferencë shtypi në Prishtinë, duke theksuar pritshmëritë për mbështetjen e gjithë kombit.

“Të shpresojmë që ai tre minutëshi i artë që ka Shqipëria në Eurovision të jetë në favor dhe me shkëlqimin e suksesit”, u shpreh ajo.

“Kësaj here do të na duhet shumë më tepër ndihma e bashkatdhetarëve tanë kudo që ndodhen dhe do e kemi besoj. Do të mundohem të japë maksimumin tim që përfaqësimi të jetë dinjitoz”, u shpreh Tarifa.

Para Festivalit Eurosong që do të mbahet në Stokholm në Suedi, përfaqësuesja e Shqipërisë Eneda Tarifa, si dhe drejtori i përgjishëm i RTSH, Martin Leka, e drejtori i përgjithshëm i RTK, Mentor Shala, kanë folur në një konferencë shtypi në kryeqytetin kosovar.

“Ne do të bëjmë më të mirën e mundëshme për të gjithë shqiptarët, të votojnë këngën tonë”, theksoi Lekaj. Ndërsa, Shala paralajmëroi se, “këtë vit do të vendoset se a do mund Kosova të jetë pjesëmarrëse vitin e ardhshëm në Eurovizion”.

U bë e ditur se, këngëtarja Eneda Tarifa që paraqitet në festivalin më të madh të këngës në Evropë, Eurovision, do jetë së bashku në skenë me tre këngëtarë bekvokalistë, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Eneda Tarifa me këngën “Përrallë” është fituesja e Festivalit të 54-t të Radio-Televizionit Shqiptar, ndërsa në Eurovision do të performojë në natën e dytë të këtij festivali në 12 maj./ATA/
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: