Një tifoz i Flamurtarit ka humbur jetën pasditen e djeshme gjatë ndeshjes Flamurtari- Kukësi, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Dëshmitarë të ngjarjes tregojnë se rezultati i humbjes së ndeshjes ka shkaktuar pakënaqësi në radhët e tifozëve vlonjatë, ku disa prej tyre janë çuar duke u larguar nga stadiumi, ndërkohë që pikërisht në këtë moment ka ndodhur dhe incidenti. Një prej tifozëve, i identifikuar si 42-vjeçari me inicialet M.S., ka qenë duke dalë së bashku me të tjerë, dhe pikërisht në momentin që ka qenë në shkallë, ka rënë duke përplasur dhe kokën. Menjëherë 42-vjeçari është transportuar për në spital, por goditja ka bërë që të humbiste jetën në moment dhe gjithçka ka qenë e kotë. Ai është shoqëruar për në spital edhe nga ana e efektivëve blu.

PISTAT E HETIMIT
Pas ngjarjes kanë nisur hetimet, ku po hetohen dy pista, ajo e rrëshqitjes së vetë viktimës nëpër shkallë apo nëse është shtyrë nga dikush. Dëshmitarët tregojnë se 42-vjeçari, ashtu si dhe shumë tifozë të tjerë të zhgënjyer nga rezultati i ndeshjes, ka hedhur akuza gjatë kohës që po dilte nga stadiumi. Pikërisht në këtë moment është e paqartë se çfarë ka ndodhur, pasi dyshohet se ka ndodhur edhe një debat mes viktimës dhe një efektivi policie. 42-vjeçari mësohet se ka qenë tifoz me Flamurtarin dhe ditën e djeshme kishte ardhur pikërisht për të bërë tifo ndaj skuadrës së kuqezinjve. Nga tifozët e tjerë kjo ngjarje nuk ka rënë shumë në sy, për faktin se ka ndodhur nëpër shkallë gjatë kohës që ndeshja ishte në përfundim, ndërkohë që kanë qenë rreth 30 tifozë që ishin pranë shkallëve kur ndodhi ngjarja.

NDESHJA
Përfundon 0-2 gjysmëfinalja e parë e kupës së Shqipërisë në futboll. Takimi ka nisur rreth orës 19:00, ndërsa Kukësi me këtë fitore në Vlorë ka siguruar thuajse kualifikimin për në finale. Golat nga Kukësi u shënuan që pjesën e parë, nga Hasani në minutën e 11-të dhe Shameti në minutën e 20-të. Flamurtari ka tentuar të reagojë, por pa mundur të gjejë të paktën një gol, duke vështirësuar gjithçka për ndeshjen e kthimit që luhet pas dy javësh në Kukës, por edhe duke qenë thuajse jashtë finales së kupës, pranë së cilës pas kësaj ndeshjeje të parë është Kukësi. Pikërisht ky rezultat ka ngjallur reagim te tifozët e Flamurtarit, të cilët nuk kanë qenë të kënaqur.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: