Nën përkujdesjen e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Gjyshatës së Korçës në teqenë e Vrëpckës në Moglicë të Korçës, e cila njihet edhe si teqeja e baba Feimit, e ndërtuar në vitin 1860 u zhvillua një pelegrinazh. Baba Feimi ka qenë një klerik bektashi, i cili luftoi për çlirimin e vendit dhe u vra nga gjermanët në Operacionin e Qershorit 1944.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha gjatë ceremonisë, se atdhetari i shquar i bektashizmit Baba Feimi ka një kontribut të rëndësishëm si patriot e atdhetar gjatë viteve 1932-1939 duke hapur shkolla dhe duke e kthyer teqenë në spital për partizanët e plagosur gjatë kohës së luftës.
“Baba Feimi në vitin 1932, ndërtoi çezmën e bukur monumentale me tre qemerë, me mbishkrimin “Pini ujë me lezet, kthejeni prap në teqetë!” Më 6 qershor të vitit 1944, gjermanët, vranë baba Feimin. Veprimtaria e baba Feimit është e njohur në gjithë zonën. Baba Feimi ka hapur shkollë në Vrepckë dhe Zerecë. Teqeja e Vrepckës, në vitet 1940-1942, ishte spital për zonën e lirë operative. Në këtë vend, u ngrit një central elektrik. Tradita bektashiane e drejtimit të teqesë vazhdoi me baballarët dhe dervishët në vitet që pasuan”,-u shpreh Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj tha gjatë ceremonisë në teqenë e Vrëpckës.
I pranishëm ne ceremoni, Prefekti i Korçës Nertil Jole, vlerësoi historinë e teqesë së Baba Feimit të vizituar nga qindra besimtarë bektashij në çdo stinë të vitit.
“Është shumë bukur që bashkë përpiqemi të ruajmë traditën e këtij vendi të spikatur me histori e traditë. Ky organizim është domethënës uroj që ta vazhdojmë edhe në vitet në vijim. Kjo teqe e baba Feimit, me famë është edhe monument kulture, që ripërtërin traditën bektashiane”, u shpreh Prefekti i qarkut Korçë Nertil Jole në fjalën e tij.
Në ceremoninë e organizuar u zbulua edhe pllaka përkujtimore e vendosur nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane, në kujtim të Baba Feimit vrarë nga nazistët më 6 qershor të vitit 1944. Data 6 qershor e çdo vitit do të kthehet në një datë pelegrinazhi nga besimtarët në nderim të tij. Klerikët bektashinj dhe objektet e kultit të këtij besimi kanë qenë vatra jo vetëm të bektashizmit por edhe të patriotizmit dhe lëvizjes për liri e pavarësi të Shqipërisë. Me devizën e tyre “Pa Atdhe, nuk ka fe”, bektashinjtë morën pjesë me armë në dorë në Luftën Nacionalçlirimtare dhe shumë prej tyre ranë dëshmorë. Janë 70 klerikë bektashinj të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.
