Të paktën 54 persona kanë vdekur në një rajon në shtetin verior të Indisë Uttar Pradesh ditët e fundit, sipas gazetës Times of India, dhe autoritetet po hetojnë nëse vdekjet janë për shkak të një valë të nxehti që goditi zonën.
45 persona të tjerë vdiqën në shtetin fqinj Bihar, raportuan gazetat lokale. Departamenti Meteorologjik Indian javën e kaluar lëshoi një paralajmërim të kuq për mot ekstrem në disa pjesë të vendit, duke përfshirë shtetet e Uttar Pradesh dhe Bihar.
Qeveria tha se po hetonte shkaqet e vdekjeve të regjistruara gjatë tre ditëve javën e kaluar në distriktin Ballia të Uttar Pradesh, rreth 970 kilometra në juglindje të Nju Delhit.
“Pak nga vdekjet lidhen me pleqërinë, ndërsa disa kanë shkaqe të tjera. Nuk ka asnjë provë të prekshme që është për shkak të nxehtësisë”, shtoi Ravindra Kumar, një zyrtar i lartë.
Qeveria e shtetit Uttar Pradesh ka shkarkuar kreun e spitalit më të madh publik të Ballia, Dwakar Singh, pasi tha se vdekjet ishin për shkak të vapës.
Zëvendëskryeministri i shtetit Brajesh Pathak tha në mediat sociale se Singh u hoq nga posti i tij për “deklarata të papërgjegjshme”.
Temperaturat kanë arritur afër 45 gradë Celsius ditët e fundit në Ballia, me ndërprerjet e energjisë elektrike që përkeqësuan situatën.
Në Bihar, 45 njerëz vdiqën nga sëmundjet e lidhura me nxehtësinë, raportoi Hindustan Times.
Ndërsa vala e të nxehtit pritet të vazhdojë në pjesë të Indisë të hënën, zona të tjera në shtetin verilindor të Assam kanë përjetuar përmbytje të rënda për shkak të reshjeve të mëdha.
“Intensiteti i reshjeve në Assam dhe shtetet e tjera verilindore ka të ngjarë të rriten këtë javë. Shumë zona pritet të kenë reshje të dendura deri shumë të dendura këtë javë, të cilat mund të shkaktojnë përmbytje”, tha një zyrtar i Departamentit Meteorologjik të Indisë.
