Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka thënë se pas vizitës të cilën nesër do ta ketë në Vatikan do të udhëtojë për në Bruksel.

E në Bruksel tha se do të ketë takim të dialogut të nivelit të lartë, që nënkupton që me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, do të ketë takim mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kurti ka treguar se kërkesa e tij do të jetë lirimi i tre policëve kosovarë të rrëmbyer nga forcat serbe, më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.

“Përcaktova itinerarin tim për të shkuar në Bruksel nga Roma nesër, duke konfirmuar pjesëmarrjen time në takimin e dialogut të nivelit të lartë të thirrur nga HR/VP Borrell. Do të insistoj për lirimin urgjent pa kushte të 3 policëve të mbajtur peng nga Serbia, deeskalimin dhe normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Vizita e Kurtit në Vatikan ku do të takohet me Papa Françesku e ka konfirmuar edhe zyra e kryeministrit.

Këto vizita të Kurtit në Vatikan dhe Bruksel vijnë në një kohë ku në Veri të Kosovës ka tension të shtuar.

Madje javëve të fundit ka pasur edhe dhunë nga protestuesit e dhunshëm serbë mbi pjesëtarë të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe punonjësve të mediave.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb