“Nisma Thirrje” ka nisur fushatën për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Pjesë të kësaj fushate, janë edhe deputetë të opozitës, përfshi përfaqësues të PD-së zyrtare, por jo të PD-së së Berishës.
Gjatë fjalës së tij kreu i ‘Nismës Thurje’, Endrit Shabani u shprehet se “Nisma Thurje” kërkon uljen e moshës së votimit deri në 16 vjeç.
Nga ana e tij, Pano Soko u shpreh se sistemi aktual zgjedhor lufton partitë e vogla.
“Atë që është e vogël nuk ka sens ta copëtosh në copa edhe më të vogla. Nëpërmjet rajonalizimit partia në pushtet ka një mundësi kontrolli më të mirë të votës. Baronët lokal janë padronët e rajoneve, që marrin përsipër vota për të ndihmuar partitë në pushtet”, tha Soko.
DEKLARATA
Ne, një grup deputetësh, aktivistësh politik, përfaqësues të organizatave jofitimprurëse dhe intelektualësh të lirë, të shqëtësuar nga regresi që vendi ka bërë në rrugën drejt ndërtimit të një demokracie perëndimore, kërkojmë të ç’bëjmë efektin e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës.
Për këtë qëllim ne kërkojmë ndryshimin e kushteve bazë të organizimit të zgjedhjeve në Shqipëri, në mënyrë që të garantojmë një sistem zgjedhor më të drejtë dhe të barabartë duke krijuar kushtet për një shtet më demokratik dhe një parlament më përfaqësues.
Për sa më sipër, duke besuar se në një demokraci pushteti duhet të qëndrojë në dorën e popullit, angazhohemi të thërrasim një referendum kombëtar, duke i dhënë qytetarëve shqiptarë mundësinë për të ushtruar të drejtën kushtetuese të vendosjes në mënyrë direkte për sistemin zgjedhor përmes të cilit ata do të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlament apo pushtetin vendor, përfshi këshillat bashkiak dhe drejtimin e bashkive.
Duke besuar që ky është një proces që kërkon diskutime me bazë të gjerë dhe analiza të thelluara, po e ndërmarrim këtë nisëm duke u dakordësuar që sistemi zgjedhor duhet, inter alia, të përfshijë edhe kërkesat e mëposhtëme:
1. Aplkimi i një Sistemi Zgjedhor Proporcional me katër ose më pak zona zgjedhore, duke respektuar ndarjen politike dhe ekonomike të rajoneve në Shqipëri.
2. Formula e shpërndarjes së mandateve të ndryshojë nga D’Hondt, ku pjesëtimi shkon në favor të partive të mëdha, në Saint Lague ku pjesëtimi me numra tek garanton një përfaqësim më të drejtë duke minimizuar deformimin e vullnetit të zgjedhësve.
3. Subjektet zgjedhore të garojnë me lista plotësisht të hapura, pa kufizuar preferencat e votuesit (i.e. shfuqizimi i herësit në shpërndarjen e mandateve)
4. Zgjedhësi të ketë mundësi të zgjedhë brenda të njëjtës listë deri në 5 kandidatë preferencial (sipas modelit të vendeve të tjera psh Kosovës)
5. Fleta e votimit të përmbajë detyrimisht emrat e kandidatëve garues në listat garuese të subjekteve zgjedhore
6. Zëvendësimi i pragut kombëtar me pragun ligjor rajonal, i cili nuk mund të jetë më shumë se 1% e votave të marrë në rang rajoni
7. Aplikimi i sistemit proporcional preferencial, me dy preferenca, për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë
8. Aplikimi i sistemit zgjedhor proporcional me lista të hapura për këshillat bashkiak (njësoj si për zgjedhjet e përgjithshme)
9. Votimi i shqiptarëve të diasporës përmes postës, sipas modelit të aplikuar në vendet e zhvilluara.
10. Votimi elektronik pranë vendbanimit të përkohshëm, ose me postë, për shtetasit shqiptarë që jetojnë përkohësisht brenda Shqipërisë por larg rezidencës së tyre të përhershme
11. Ulja e moshës minimale për të ushtruar të drejtën e votës që në moshën 16 vjeçare, e cila është mosha e përgjegjësisë ligjore
12. Aplikimi i kufizimeve proporcionale në organizmin e fushatës zgjedhore edhe në sektorin privat, përveç kufizimeve që aktualisht aplikohen në sektorin publik (si psh hapësira mediatike, reklamat dhe billboardet)
I bëjmë thirrje çdo qytetari të lirë të Shqipërisë që t’i bashkohet kësaj nisme për të krijuar shtratin e një demokracie përfaqësuese funksionale.
(BalkanWeb)
