“Lufta” e hapur ndërmjet Kylian Mbappe dhe Al-Khelaifi prek drejtpërdrejtë edhe Napolin. Tifozët e bluve janë në ankth, por jo presidenti De Laurentiis i cili “fërkon duart”, por pse? Shumë e thjesht, largimi i mundshëm i Mbappe detyron PSG të futet direkt në merkato për të gjetur një zëvendësues, në këtë rast, Al-Khelaifi ka vetëm një emër në tavolinë që përmbush egon e tij, Victor Osimhen. Bosi i PSG ishte i qartë gjatë prezantimit të Luis Enriques: “Nuk ka asnjë shans që Mbappe të largohet falas, nëse dëshiron të ik e ka derën e hapur”.

Në Francë shkruajnë se jo vetëm Real Madrid, në lojë për Mbappe është futur edhe Liverpool, dy ekipe që janë të gatshëm të paguajnë miliona për të siguruar shërbimet e Mbappe. Al Khelaifi e vlerëson me 200 milionë euro, shifër që do ta investojë direkte për të siguruar kartonin e Osimhen. De Laurentiis është gati të lë të lirë Osimhen, por kërkon 180 milionë euro për nigerianin, shifër që Bayern Munich e konsideron jo logjike.

Situata ku është përfshirë Parisi, me Mbappe që rrezikon të largohet falas, ka shtyrë De Laurentiis të negociojë me Osimhen për të rinovuar kontratën. Numri një i Napoli është gati t’i ofrojë nigerianit një kontratë të re deri në 2027 dhe një pagë prej 7 milionë euro në sezon, plus bonuse. Nëse Osimhen pranon këto kushte, do t’i vendoset dhe një klauzolë largimi prej 120 milionë euro.
(BalkanWeb)
