Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi i kërkon Bashkisë së Tiranës të respektojë vendimin e Gjykatës dhe t’u japë zyrën që i takon Shoqatës së Para/Tetraplegjikëve.

Blushi nxjerr foto të 1 viti më parë kur u shembën zyrat, sipas tij brutalisht në mesnatë, pa asnjë njoftim paraprak nga Bashkia e Tiranës.

Ai shkruan se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar dhe e ka detyruar Bashkinë e Tiranës të krijojë menjëherë kushtet e përshtatshme për 1600 anëtarët e Shoqatës së Para/Tetraplegjikëve, që për ironi të fatit u është caktuar një zyrë në Surrel, kur dihet se aq larg një person me aftësi të kufizuar nuk mund të shkojë dot me karrocë.

DEKLARATA E PLOTË

Rreth një vit më parë zyrat e Shoqatës së Para/Tetraplegjikëve u shembën brutalisht në mesnatë, pa asnjë njoftim paraprak nga Bashkia e Tiranës.

Siç dëshmojnë këto foto, barbaria nuk kishte kufij. Godina u shemb bashkë me karrocat e invalidëve brenda saj dhe me të gjitha sendet e nevojshme të higjenës sanitare, që përfunduan nën rrënoja.

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar dhe e ka detyruar Bashkinë e Tiranës të krijojë menjëherë kushtet e përshtatshme për 1600 anëtarët e Shoqatës së Para/Tetraplegjikëve, që për ironi të fatit u është caktuar një zyrë në Surrel, kur dihet se aq larg një person me aftësi të kufizuar nuk mund të shkojë dot me karrocë.

Askush nuk pret që Erion Veliaj të tregojë dhembshuri dhe humanizëm, vlera të cilat ai e ka vërtetuar botërisht se nuk i ka. Por të paktën duhet të respektojë urgjentisht vendimin e Gjykatës dhe t’u japë zyrën që i takon Shoqatës.

Mbrojtja e të drejtave të më të pambrojturve dhe sidomos të personave me aftësi të kufizuar do të jetë prioritet në çdo mbledhje të radhës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, derisa e drejta e Shoqatës së Para/Tetraplegjikëve të shkojë në vend.

Personat me aftësi të kufizuar që jetojnë në Bashkinë e Tiranës meritojnë trajtim dhe shërbime dinjitoze!
Do të bëjmë gjithçka për t’ia u mundësuar!

Blushi Fb
Blushi Fb

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: