Autoriteti I Dosjeve ka marrë në shqyrtim dokumentacionin arkivor të komisioneve “Mezini’ dhe “Bezhani”, komisione që kanë funksionuar në vitet 1996-2001. Pas ndryshimeve ligjore dhe interesit të lartë të publikut për mënyrën si është kryer verifikimi i figurave nga këto komisione, Autoriteti ngriti një Grup Pune që ka hartuar një raport përmbledhës.
Sipas këtij raporti, rezulton se në dy zgjedhjet parlamentare dhe një lokale të viteve 1996 dhe 1997, kanë marrë pjesë 71 subjekte politike. Ndërkaq, ky komision ka marrë vendime për 4.964 kandidatë, duke vendosur konfirmim për 4.563 kandidatë dhe përjashtim nga kandidimi të 399 kandidatëve, ose 7 % e numrit total rezultoi me probleme të pastërtisë.
Raporti vëren se, Komisioni Bezhani e zhvilloi veprimtarinë e tij nga viti 1998 deri në fund të vitit 2001 duke shqyrtuar pastërtinë e figurës për 3.759 zyrtarë të lartë. Ky komision, ndryshe nga ai paraardhës, kishte në fokus të punës së tij kontrollin e figurës së funksionarëve të administratës shtetërore. Për 278 zyrtarë ose 7% e numrit të përgjithshëm, për të cilët rezultonte se ka të dhëna për ta në dokumentet e ish Sigurimit, për të paktën 104 prej tyre, pra për 3% më pak të numrit, komisioni Bezhani ka vendosur të japë certifikatën e pastërtisë së figurës duke i konsideruar kandidatët si persona që nuk janë në kushtet e pengesës ligjore për të vijuar me emërimin në detyrë.
“Të gjitha vendimet e komisioneve nuk janë shoqëruar me argumentim sipas dispozitave përkatëse të ligjit nr. 8043, por vetëm konfirmohet në se kandidatët janë ose jo në kushtet e ndalimit të neneve 1 dhe 2 të ligjit”, thuhet në raport, duke shtuar se “në maj të vitit 1997, të cilat ngushtonin rrethin e pozicioneve dhe cilësive që konsideroheshin kusht pengues, Komisioni Mezini ka marrë disa vendime të kundërta me ato të një viti më parë, duke i lejuar kandidatët të vijojnë me kandidimin, ndërkohë që një vit më parë të njëjtët kandidatë ishin në kushtet e pengesës ligjore sipas nenit 2 të ligjit.”
Vetëm pas ndryshimeve të fundit ligjore, Autoriteti I Dosjeve mundet tashmë të marrë në shqyrtim dokumentacionin e dy komisioneve dhe rezultatet e certifikatave të pastërtisë dhënë prej tyre.
“Nga numri i përgjithshëm i zyrtarëve të verifikuar nga Autoriteti, 55 prej tyre ishin verifikuar më parë nga komisionet Mezini – Bezhani, kështu që për ta, Autoriteti nuk mund të kryente verifikim kur ishte dhënë çertifikata e pastërtisë. Por ndër to, në 9 raste të konstatuara përmes proceseve paralele, ose 16.3% e tyre, u gjetën rastësisht të dhëna që e lidhnin figurën e zyrtarit me strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit”, thuhet në njoftimin shpërndarë sot mediave.
AIDSSH përmes ndryshimeve ligjore ka propozuar detyrimin që çdo funksionar i lartë të plotësojë formularin e vet-deklarimit, ndryshime të cilat janë tashmë në kalendarin e punës së legjislatorit. Kjo do të garantonte një shkëputje morale të plotë me të shkuarën.
