Pas kërkesë së SPAK drejtuar Kuvendit, për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, u mblodh sot në Kryesinë e Kuvendit Këshilli i Mandateve.

Ndaj Arben Ahmetajt janë ngritur tre akuza penale, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie. Për këto akuza është kërkuar dhe arrestimi i tij. Bashkë me lejen për arrestimin është dhe ajo për kontrollin personal dhe të celularëve të tij.

Ndërkohë, pas më shumë se 4 orësh mbledhje, seanca është mbyllur për ditën e sotme dhe është shtyrë për nesër në orën 16;00. Vetë Ahmetaj nuk mori pjesë në mbledhje, por u përfaqësua nga avokatët e tij.

Gazetari Ergys Gjençaj bëri me dije për BalkanWeb se mbledhja nisi me debate. Sipas tij opozita ka kërkuar që mbledhja të zhvillohet me dyer të hapura, por ka pasur replika nga ana e maxhorancës.

Deputeti Ervin Salianji mësohet se i është drejtuar deputetes së PS Ermonela Felajt duke i thënë se është në konflikt interesi dhe ndaj e kërkon mbledhjen me dyer të mbyllura.

“Je e përfshirë njësoj dhe je pjesë e dosjes dhe prandaj e kërkon të mbyllur mbledhjen”, është shprehur ai.

Në këtë moment është kërkuar dhe ndërprerja e mbledhjes për 5 minuta. Pas disa minutash mbledhja ka rinisur, por në fokus të debatit ka vijuar e njëjtat temë, për mbledhje me dyer ta hapura apo të mbyllura, ndërsa ende nuk është bërë asnjë diskutim për thelbin e çështjes, imunitetin e Ahmetajt.

Më herët SPAK ka vepruar me kontrollin e dy banesave, të partneres së z. Ahmetaj në Hamallaj dhe një vilë në zonën e Palasës që mendohet se disponohet nga ish-bashkëshortja e Ahmetaj. Të dy pasuritë janë sekuestruar nga SPAK dhe ka pasur një përpallje të tij me drejtësinë që e kundërshtonte këtë kontroll dhe sekuestro, sidomos për banesën në Hamallaj ku jetonte me bashkëjetuesen Erjola Hoxha.

BalkanWeb disponon kërkesën e SPAK që i ka bërë Kuvendit, ndërsa ajo iu është dorëzuar deputetëve, që të njihen me pretendimet e Prokurorisë së Posaçme. Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë janë njohur me këtë dokument, ku specifikohen shkeljet e pretenduara nga SPAK për Ahmetajn, i cili thuhet se në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi ka përfituar para nga biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb