Transferimi i sulmuesit anglez Harry Kane nga Tottenham te Bayern Mynih duket më i vështirë nga sa ishte menduar. Dy klubet ende nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët, me Tottenham që kërkon 100 milionë euro për golashënuesin e Premier League.
Në rast se ky transferim dështon, atëherë Bayern Mynih do të synojë të sjellë në Bundelsiga një tjetër sulmues që luan në Angli. Bëhet fjalë për 23-vjeçarin argjentinas Julian Alvarez, që vjet u shpall kampion bote me Argjentinën dhe fitoi Prermier e Champions League me Manchester City.
Kostoja e Alvarez është rreth 50 milionë euro, ndërkohë që ai ka një kontratë deri në vitin 2025 me “citizens”. Sezonin e kaluar ai realizoi në total 17 gola në 49 ndeshje, duke qenë thuajse gjithnjë zëvendësuesi i Haaland.
Julian Alvarez është një sulmues i ri të cilin trajneri Pep Guardiola nuk dëshiron ta lërë, por në rast se nga Mynihu vjen një ofertë e mirë gjithçka mund të ndodhë.
Madje duket se Bayern është gati të investojë tek i riu argjentinas, duke parë pengesat që po nxjerr Tottenham për Kane. Edhe vetë sulmuesi dëshiron të jetë protagonist, mundësi që gjigantët gjermanë janë gati t’ia japin pasi Mane nuk u shfaq brenda pritshmërive.
(BalkanWeb)
