Shkëndija nis të enjten rrugëtimin e Conference League për këtë sezon, ku do kërkojë që të bëjë një ecuri sa më pozitive. Skuadra e njohur do të përballet me Haverfordëest, ekip ky që vjen nga Wales. Ardian Nuhiu, tekniku i Shkëndijës është i vetëdijshëm për nivelin e vështirësisë që paraqet kundërshtari, por shpehet optimist për shkak të atmosferës së mirë dhe grupit të fortë që ka në dispozicion.
“Pa diskutim vlerësim maksimal për skuadrën kundërshtare. Në këto nivele s’ka skuadër të lehtë. Çdo ekip ka cilësitë dhe objektivin e vet. Mua më intereson skuadra ime dhe ne jemi të gatshëm për një përballje ku kam besim të plotë te futbollistët të cilët nesër do të performojnë në formë shumë të mirë. Këtë po e them pasi plotë 40 ditë kemi punuar bashkë dhe jemi munduar që në çdo mënyrë të sjellim idetë tona dhe ta analizojmë kundërshtarin si në aspektin kolektiv se si luan si skuadër, ashtu edhe në aspektin individual janë të analizuar të gjithë futbollistët e kundërshtarit dhe kemi mjaftueshëm informacione. Duhet të kemi qasjen e duhur, vlerësim maksimal për kundërshtarin dhe të sjellim lojën që kemi përgatitur. Pres ndeshje shumë të mirë nga skuadra jonë.“
Atmosfera është shumë e mirë, me pozitivitet presim ndeshjen e nesërme. Është mundësi e mirë për futbollistët për të shprehur vlerat e tyre në një fushë shumë të mirë ku besoj fuqishëm se nga tribunat do të kemi edhe mbështetjen e publikut dhe tifozëve tanë. Me përkrahjen e publikut dhe maksimumin e futbollistëve mendoj se nesër do të marrim fitoren.“
Për mua si trajner të gjithë futbollistët që kemi janë titullar, por nuk diskutohet se në kokë e kemi të qartë se cilët futbollistë do të startojnë. Kemi pasur plotë 40 ditë për të analizuar kundërshtarin apo edhe për të parë skuadrën tonë. Personalisht jam shumë i kënaqur me futbollistët që kam gjetur në skuadër, futbollistë shumë cilësorë dhe me shumë personalitet. Gjithashtu edhe prurjet e reja janë pritur shumë mirë dhe tjerët u’a kanë lehtësuar adaptimin. Mendoj se gradualisht skuadra po ndërtohet, kombinohet dhe lidhen lojtarët mes veti. Ne e dimë se futbolli është proces dhe e don kohën e vet, por për këto 40 ditë mendoj se kemi punuar mjaftueshëm dhe e shoh një skuadër kompakte” – tha ai.
(BalkanWeb)
