Me tre orë diskutime është mbyllur mbledhja e djeshme e Këshillit të Mandateve, ku u diskutua kërkesa e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt. Në unanimitet mazhoranca dhe opozita i kanë dhënë ‘dritën jeshile’ SPAK që të arrestojë Arben Ahmetajn, i cili akuzohet nga prokuroria për 3 vepra penale.

Ndërkohë është vendosur që ditën e hënë në orën 17:00 do të mbahet seanca e jashtëzakonshme në Kuvend për heqjen ose jo të mandatit të Ahmetajt. Në këtë pikë është ndarë opozita, e cila kërkon që seanca e jashtëzakonshme të mbahet ditën e sotme, duke ndryshuar rendin e ditës. Gazmend Bardhi deklaroi se opozita do të paraqiste sot kërkesën zyrtare për ndryshimin e rendit të ditës së seancës së parlamentit, në mënyrë që të futet dhe votimi për arrestimin e zotit Ahmetaj.

Ish zëvendëskryeministri akuzohet për të paktën tre vepra penale, nga korrupsioni, te fshehja apo mosdeklarimi i pasurive dhe pastrimi i parave. Hetimet ndaj tij për rolin në çështjen e inceneratorëve nxorrën në pah lidhjet e ngushta me dy sipërmarrësit, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncensioneve të trajtimit të mbetjeve në Elbasan, Fier e Tiranë.

Sipas Prokurorisë ai ka ndikuar dhe në procedurat për koncensionet. “Që në lindjen e këtyre procedurave e deri në perfundimin e tyre dhe përsa kohë që edhe janë kryer pagesa në kohën që shtetasi Arben Ahmetaj ka ushtruar detyrën e Ministrit te Financave, tregojnë më së qarti se roli i personit nën hetim Arben Ahmetaj, ka qene i tillë që, përveçse nuk është bërë pengues, ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova, se është shpërblyer për çdo miratim të dhënë prej tij”, vlerëson Prokuroria e posaçme.

Por avokatët e tij deklaruan pas paraqitjes së qëndrimit të tyre në mbledhjen e Këshillit të Mandateve se “ne nuk vërejtëm kërkund në relacionin që shoqëronte kërkesën e Prokurorisë, asnjë rresht që të justifikonte, interpretonte dhe analizonte se përse Prokuroria ka nevojë për kontroll banese dhe masë sigurie sigurie ndaj tij. tani në përfundim të hetimeve. Ç’vlerë ka kontrolli I banesës përveçse një shoë, të dërgosh 5 fugonë me policë për të përdhosur banesën e një deputeti, për të kënaqur epshet e një karkteri jo etik të njerëzve, se si dhunohet banesa e një deputeti. Edhe për masën e sigurisë nuk gjetm asgjë që të përmbante fakt, arsye, se përse duhej kjo masë sigurie. Jemi kundër arrestit”.

Ahmetaj rezulton të jetë larguar nga Shqipëria, të premten, përmes kufirit me Greqinë, pak orë përpara se kërkesa e Prokurorisë të dorëzohej në parlament. Avokatët deklaruan se janë në komunikim me të, por refuzuan të japin hollësi për vendndodhjen e tij e po ashtu thanë se është në vlerësimin e vetë ish zëvendëskryeministrit nëse do të kthehet ose jo në Shqipëri.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb