Taulant Balla mori dje zyrtarisht postin e Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.
Në Institucionin e Presidentit u zhvillua ceremonia e betimit të z.Taulant Balla në detyrën e Ministrit të Brendshëm, para Presidentit të Republikës Bajram Begaj.
Fillimisht u lexua formula e betimit: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave.”
Me dorën në Kushtetutë, Balla u betua para Presidentit, për të vazhduar më pas me firmosjen e betimit.
Në mbyllje të ceremonisë, Presidenti Begaj i dorëzoi Ballës dekretin përkatës të emërimit dhe i uroi suksese të mëtejshme në detyrën e rëndësishme.
Balla është ministri i pestë i qeverisë socialiste, prej vitit 2013 kur mori pushtetin.
Kuvendi miratoi të enjten dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin e Taulant Ballës në postin e ministrit të Brendshëm, me 75 vota pro, 16 kundër, 1 abstenim.
Balla është një ndër zërat më të fortë të mazhorancës në Kuvend, ku ka përballuar pothuajse i vetëm betejat me opozitën, të cilat shpesh kanë përfunduar edhe ne gjykatë dhe Balla ka dalë fitues për akuzat ndaj tij.
Karrierën politike, Taulant Balla e nisi ne vitin 2004, ku shërbeu si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano. Ai u zgjodh për herë të parë deputet i Librazhdit në vitin 2005, në moshën 28 vjeçare dhe prej asaj kohe nuk ka munguar në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist.
Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partise Socialiste post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri.
Balla është deputet i Qarkut te Elbasanit dhe drejtues politik për Partine Socialiste në Qarkun Fier. Më herët ka drejtuar qarkun e Elbasanit ku ka marrë edhe rezultatin më të mirë elektoral në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2021 si për socialistët por edhe vetë si deputet rezultoi më i votuari në rang kombëtar.
