E marta do të jetë dita e fundit dhe piku i tretë i valës së nxehtë të Cerberus që ka përfshirë për kohësh vendin tonë.

Meteorologu Hakil Osmani tha për News24 se maksimumet gjatë ditës së sotme do jenë në qarqet Elbasan e Berat deri në 43 gradë celsius, duke bërë që të jetë një ditë shumë e nxehtë për vendin tonë. Por edhe qytete të tjera si Tirana, Shkodra apo Fieri dhe Gjirokastra pritet të ngjiten shumë pranë 42 gradë celsius.

Bregdeti do të jetë 37-39 gradë celsius. Në Juglindje do të jenë vlerat 36-37 gradë celsius. Për zonat malore do të kemi temperatura disi më të freskëta, përjashtim do të bëjë këtu qarku i Kukësit dhe Hasi, ku do të luhaten nga 39-40 gradë celsius. Sot do të kemi një mesditë me temperatura relativisht të larta.

“Gjatë ditës së nesërme temperaturat do të zbresin me 3 gradë celsius. Minimumet në 18 gradë celsius. Në Ultësirën Perëndimore 22-25 gradë celsius mëngjesit, por rënia e ndjeshme në mesditë me maksimume 36 gradë celsius. Në zonat verilindore rënia dhe më e ndjeshme. Kryesisht pjesa më e madhe e territorit shqiptar do ketë rënie e ndjeshme. Parametri i erës do jetë mjaft i ndjeshëm ditën e nesërme me 40-45 km në orë.
Gushti në javën e parë me temperatura shumë pranë vlerave normale 34-35 gradë celsius. Ka sinjale për një dy ditësh që do ketë temperatura 39 gradë celsius. Gushti do jetë një muaj që do të ketë ditë të nxehta, nuk përjashtohet mundësia e goditjes nga valët e të nxehtit dhe në vlerën 40-41 gradë celsius”, tha Osmani.

Në një lidhje live për News24, Lajda Porja tha se duke nisur nga e mërkura, temperaturat do të ulen 6-7 gradë Celsius, por sot parashikohen temperatura ekstrem në disa zona të vendit.

“Sot dhe nesër janë ditët e fundit ku do të japin frymë temperaturat e larta. Dita e martë është kulmi i fundit i kësaj vale. E kishim paralajmëruar se do të ishte nga fundi i korrikut, por vetëm në dy zona, Elbasan dhe Berat, Belshi dhe Cërriku që do të jenë deri në 42 gradë, ndërsa zonat e tjera me temperatura më të ulëta. Bregdeti rreth vlerës 38 gradë dhe juglindja 37 gradë. Në ditën e mërkurë, do kemi 6-7 gradë rënie, ku do të ndihet rënia e temperaturave”, tha Porja.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj në rubrikën “Opinion” në News24 foli për temperaturat e larta në vend duke këshilluar që qytetarët të tregohen të kujdesshëm në orët e pikut.

Gjatë bisedës në studio Brataj tha se sidomos mosha e tretë janë të rrezikuar nga temperaturat e larta, ndërsa shtoi se është e domosdoshme që në këtë situatë qytetarët të konsumojnë rreth 2 litra ujë në ditë.

“Çdo temperaturë mbi 30 gradë në hije është e rrezikshme. Është e domosdoshme që të kufizohet dalja në orët e pikut”, u shpreh ai.

Gjithashtu Brataj tha se edhe të rinjtë dhe po ashtu edhe ndaj fëmijëve duhet të tregohet kujdes në këtë sezon të nxehtë veror.

“Nga data 17 e deri sot janë 2715 vizita të bëra në banesë, po ashtu edhe shumë konsulta telefonike. Ne kemi mjekë që bëjnë edhe konsulta mjekësore përveç urgjencës. Nëse mjeku ka dyshimin më të vogël për rrezik jetë, dërgon ekipin në vendngjarje. Gjatë stinës së verës shtohet koordinimi dhe forcat në vend”, ka thënë ndër të tjera ai.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb