Pamjet nga kryeqyteti francez janë domethënëse: Shefat e shteteve dhe qeverive nga mbarë bota, krah për krah kundër terrorit.
Me marshimin në Paris, Hollande, Merkel dhe co. dhanë një mesazh pas sulmit në revistën satirike Charlie Hebdo.
Por një politikan i lartë mungonte në Paris: Barack Obama.
Presidenti amerikan i qëndroi larg homazheve- dhe zëvendësi i tij, Joe Biden dhe ministri i Jashtëm, John Kerry- kishin të tjera gjëra për të bërë.
Nga Shtëpia e Bardhë nuk ka një sqarim zyrtar. Së fundmi thuhet se së paku Kerry do të udhëtojë drejt Francës gjatë javës.
Por mungesa e politikanëve kryesorë amerikanë ka rënë në sy.
Kritikat kanë ardhur andej nga vijnë zakonisht.
Republikani Newt Gingrich shkroi në Twitter: “50 udhëheqësit e botës treguan solidaritetin e tyre në Paris dhe Obama nuk ishte. Sa e trishtueshme”.
Në mënyrë të ngjashme, moderatorja e kanalit konservator Fox News, Greta Van Susteren, tha: “Është e turpshme. Ku është presidenti Obama? Pse nuk ka shkuar atje”.
Të hënën, në kalendarin e Obamës parashikohej një pritje me kampionët e NBA, ekipin San Antonio Spurs.
Pak pas sulmit në Charlie Hebdo javën e shkuar, presidenti shprehu solidaritetin e tij me francezët.
“Franca është aleati më i vjetër i Amerikës dhe qëndron krah për krah me SHBA në luftën kundër terroristëve, që rrezikojnë sigurinë tonë të përbashkët,” tha ai.
Në shkurt, ai do të ftojë një takim ndërkombëtar për sigurinë në Uashington.
Si përfaqësuesi më i lartë i SHBA në Paris ishte ministri i Drejtësisë, Eric Holder.
Por ai vetëm sa u takua me homologët e tij dhe nuk mori pjesë në marshim.
Në Francë, mungesa e Obamës është diskutuar pak. Vendi i është përkushtuar diskutimeve për javën traumatike.
Një komentator në një televizion francez e vuri në dukje këtë: “Ndoshta nuk ka krijuar probleme që Obama nuk ishte. Angazhimet e forcave të sigurisë për këtë marshim ishin mjaftueshëm të komplikuara edhe pa Shërbimin Sekret, CIA-n dhe të tjera”.
(d.b/Spiegel/BalkanWeb)
